E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëndija elektrike djeg katin e parë të pallatit



FUSHË-KRUJË- Një zjarr i rënë në katin e parë të një pallati në qendër të Fushë Krujës, rrezikoi jetën e dy njerëzve, ndërsa flakët kanë shkaktuar panik tek banorët. Ka qenë ora 15.30 kur banesa e Gjergj Latës është përfshirë nga flakët, që u konstatuan nga fqinjët, të cilët i kanë ardhur menjëherë në ndihmë familjes së dëmtuar. Njëri nga pjesëtarët e familjes Lata është i paralizuar. Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse në vendin e ngjarjes ka bërë të mundur lokalizimin e flakëve, duke mos rrezikuar përhapjen e tyre në apartamentet e tjera. Dëmi i shkaktuar në shtëpinë e djegur llogaritet në shumën 5 milionë lekë. Sipas ekspertëve mendohet se zjarri është shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik në kabllot e korrentit.

Festa, pala shqiptare shton sportelet në kufi

KAPËSHTICË - Në vend kalimin kufitar të Kapshticës ( Devoll) ka filluar ardhja masive e emigrantëve nga Greqia, një javë para kremtimit të festës së Pashkës. Vetëm gjatë 12 orëve të fundit, në këtë pikë të kalimit kufitar, janë regjistruar për hyrje në tokën shqiptare, afro dy mijë persona, pjesa më e madhe e të cilëve emigrantë. Komandanti i pikës së kalimit kufitar të Kapshticës Qamil Zhgaba, tha se "ka një dyndje më të madhe të emigrantëve në hyrje për në Shqipëri dhe në 12 orët e fundit kanë hyrë në territorin vendas të paktën 2000 persona nga pika e Kapshticës. " Për të përballuar numrin në rritje të emigrantëve që vijnë nga Greqia me rastin e festës së pashkës, nga pala shqiptare në këtë doganë ka filluar puna me 5 sportele, për të kryer në një kohë sa më të shpejtë procedurat e kalimit kufitar, që emigrantët të mos vonohen për të udhëtuar në vendlindjet e tyre. Sipas statistikave zyrtare që disponon kjo pikë kufitare gjatë një jave kanë ardhur të paktën 10 mijë persona.

21 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›