U përplas me pemën, hetim për shoferin e dehur
DURRËS – Policia do të hetojë shoferin, i cili për shkak të një pakujdesie, përplasi automjetin e tij me një pemë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, bënë të ditur se në orët e para të mëngjesit të së shtunës, shtetasi Elton Meta, lindur dhe banues në Durrës, teksa drejtonte mjetin tip Alfa Romeo me targa AP 443291, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një pemë në trotuar. Dyshimet janë hedhur se drejtuesi 21-vjeçar po drejtonte automjetin në gjendje të alkoolizuar. Sipas të njëjtave burime, në aksident mbeti i plagosur vetë drejtuesi i mjetit si dhe shtetasja E.I., 25 vjeç, e cila udhëtonte si pasagjere në të. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, rezultoi se shtetasi Elton Meta drejtonte automjetin pa dëshmi aftësie.
Derrat kafshojnë një nxënës të klasës së parë
LAÇ – Një ngjarje e pazakontë por e pritshme ndodhi dje në një nga lagjet e qytetit të Laçit, fare pranë bashkisë, ku një tufë derrash kafshuan një nxënës të klasës së parë në një shkolle 9-vjeçare. Burimet spitalore pohojnë se ka mbërritur në mjediset e spitalit i kafshuar nga derrat Armaldo Ndreca. Teksa po ecte mbi trotuar, i mituri është sulmuar nga një grumbull derrash. Për pasojë, vogëlushi ka rënë përmbys mbi trotuar dhe ai është kafshuar në pjesë të ndryshme të trupit. Babai i 9-vjeçarit, Nik Ndreca totë se “kam mbetur i shokuar, kur kam parë trupin e gjakosur të djalit tim, si dhe dorën e thyer”. Pas ndihmës së parë, Armaldo është nisur drejt spitalit rajonal të Lezhës për të marrë një trajtim më të specializuar. “I kam kërkuar kryetarit të bashkisë së Laçit, zotit Luigj Isufi, që të paktën të marrë masa ose të urdhëroj heqjen e derrave nga mjediset publike të qytetit, pasi derrat mund të kafshojnë edhe fëmijë të tjerë”, - apeloi Nikë Ndreca.
21 Prill 2008