E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë kthen padinë e Delijorgjit

 

TIRANE – Gjykata e Lartë vendosi të nxjerrë jashtë juridiksionit çështjen gjyqësore mes kompanisë “Përparimi sh.a.” në pronësi të Mihal Delijorgjit dhe Doganës së Durrësit. Sipas Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, ankimi për moskompetencën e vendosjes së gjobës nga dogana “Përparimi sh.a.” duhet të drejtohet së pari në  institucionin e doganës në rrugë administrative. Me vendimin e djeshëm, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë rrëzoi rekursin e bërë nga Mihal Delijorgji, aktualisht një nga të pandehurit e dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës. Sipas togave të zeza të Gjykatës së Lartë, Delijorgji duhet të konsumojë së pari të gjitha rrugët administrative për ankimin mbi gjobën 170 milionëshe të Doganës Durrës dhe pastaj t’i drejtohet gjykatës. Në rekursin e djeshëm Dogana Durrës ishte si palë e paditur nga shoqëria “Përparimi sh.a.” e Mihal Delijorgjit. Problemi ka lindur pas gjobitjes me 170 milionë lekë të kësaj shoqërie nga Dogana Durrës në vitin 2004, për shmangie të detyrimeve doganore nga ana e shoqërisë së Delijorgjit. Ndërkohë, po në atë vit, kreu i kompanisë u arrestua si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “evazionit fiskal” dhe të “kontrabandës”. Pak kohë më vonë, Delijorgji u deklarua “i pafajshëm” nga një vendim gjykate. Atëherë biznesmeni iu drejtuar gjykatës, për heqjen e gjobës ndaj tij, duke e parë atë si të paargumentuar. Sipas tyre, dogana nuk ishte organi administrativ që mund t’u vendoste gjobë. Ndërsa, sipas vendimit të djeshëm, “Përparimi sh.a.” duhet fillimisht të konsumojë ankimin për gjobën në rrugë administrative, pra ankim në Doganën e Durrësit.                      ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›