Alarmi i amiantit, rrezik kancerogjen për fierakët
FIER/ MAJLINDA RAMA
Arseniku ka qenë vetëm njëri prej helmeve të rrezikshëm për jetën e banorëve të Fierit. Ndërsa menduan se shpëtuan pas groposjes së tij, një tjetër fenomen i rrezikshëm bashkëjeton me ta: mbetjet kancerogjene të amiantit. Ky fakt, ndonëse njihej nga specialistët, për qytetarët është mësuar vetëm dy ditë më parë, kur një kompani belge mbërriti në Fier për të iniciuar zbatimin e projektit të BB-së për identifikimin e zonave më të rrezikuara dhe gjetjen e një zgjidhjeje për eliminimin e tij. Specialistët e huaj zhvilluan një takim me kryebashkiakun Baftjar Zeqo si dhe me një staf të ngushtë të tij, duke paraqitur projektin në fjalë. Projekti pritet të përfshijë gjithë Fierin dhe më tepër vëmendje do të ketë për zonat në të cilat janë konstatuar mbetje kancerogjene të amiantit. Specialistët belgë pohuan se projekti është i ndarë në faza ku përfshihet studimi, pra përcaktimi i vendit të ndotur, përpunimi i tyre dhe groposja ose largimi i këtyre mbetjeve kancerogjene pas përpunimit. Ata sqaruan se në fillim do të kryhet kontrolli, pasi pas informacioneve të marra nga studimet e kryera, është vërtetuar se në ajrin e ndotur të Fierit ka pasur prezencë të lëndës kancerogjene të amiantit, i njohur ndryshe si azbest. Kjo lëndë mendohet të ketë pushtuar prej kohësh gjithë territorin e Fierit, por në fillim ajo është përdorur për lëndë e parë, gjë që ndihmonte ndërtuesit dhe prodhuesit. Të dhënat tregojnë se, përpara viteve ’90, në Fier kanë ekzistuar fabrika të cilat prodhonin me amiant materiale ndërtimi, një ndër ta eterniti, i cili mbulonte kryesisht baraka dhe ballkone, por gjente më tepër përdorim edhe në mbulimin e fermave dhe kapanoneve të ndryshme. Menjëherë pas studimit të vendit do të kryhen analizat në një laborator modern në Belgjikë dhe në bazë të përfundimeve të kryera në të do të veprohet për fazat e tjera të këtij projekti. Nga ana e tij, vetë kryebashkiaku e ka quajtur një hap të admirueshëm këtë iniciativë, duke treguar mbështetjen nga ana e institucionit që ai drejton. Ai ka deklaruar se do të vërë në dispozicion të kompanisë një pjesë të stafit inxhiniero- teknik. “Më duhet të falënderoj belgët për këtë nismë, pasi edhe pse kjo lëndë është pak e njohur për qytetarët dhe banorët e kësaj zone, këto mbetje kancerogjene duhet të largohen, për vetë faktin se janë shumë të dëmshme për jetën e banorëve. Ne nuk duam të përhapim panik tani, por më mirë që banorët nuk e kanë ditur se ekziston një mbetje e tillë e rrezikshme dhe të njihen sërish me lajmin e mirë që shumë shpejt kjo rrezikshmëri do të zhduket njëherë e përgjithmonë”, ka deklaruar kryebashkiaku Baftjar Zeqaj. Ky projekt, i cili pritet të nisë brenda vitit, do të përparojë për të bërë demontimin, çmontimin dhe neutralizimin e të gjitha mbetjeve.