E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria, 4 vjet burg dy drejtuesve të policisë

 

BERAT – Prokuroria e Beratit i kërkoi gjykatës dënimin me nga 4 vjet burg dhe 400 mijë lekë gjobë për dy drejtues të policisë. Bëhet fjalë për shefin aktual të komisariatit të Kuçovës, Mehmet Rrapo si dhe drejtorin e Trafiqeve, Eno Softa. Ata akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën, duke kryer veprime arbitrare. Hetimi ndaj tyre nisi që në vitin 2007, kur në prokurori mbërriti një 22-vjeçare. Ajo i akuzonte dy drejtuesit e policisë, asokohe Rapo drejtor i trafiqeve e Softa zëvendës i tij, se e kishin mbajtur në mënyrë të paligjshme në komisariat për rreth 22 orë. Ajo ishte kthyer nga Belgjika, por dy shefat e policisë e kishin shoqëruar, duke e akuzuar për shkelje të kufirit dhe prostitucion. Më pas i kanë kërkuar të denonconte të dashurin e saj se e kishte marrë atë forcërisht me qëllim për ta arrestuar. Por e reja nuk ka pranuar, duke u pohuar atyre se kishte shkuar bashkë me të me dëshirën e saj dhe se nuk kishte prostituuar. Prokuroria nisi hetimet dhe zbuloi se shoqërimi i saj nuk ishte dokumentuar në procesverbalin e policisë. Aktualisht 22-vjeçarja ndodhet në Belgjikë, ndërsa për dy drejtuesit e policisë pritet që të vendosë gjykata.                                      d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›