E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi i qeverisë shqiptare me donatorët, prioritetet për rindërtimin e Gërdecit.

Sot, më datë 14 maj 2008, në ambjentet e Ministrisë së Integrimit u zhvillua një takim informues qeveri - donatorë për koordinimin e punës për rindërtimin e Gërdecit.

Ky takim organizohej nga Grupi Ndërinstitucional për Koordinimin e Donatorëve në Raste Emergjencash Civile, nën drejtimin e Znj. Albana Vokshi, në funksionin e saj si kryetare e këtij grupi.

Të pranishëm nga ana e Qeverisë shqiptare ishin zëvendësministrat e Ministrive të Mbrojtjes, Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministrise se Brendshme, Ministrise se Arsimit dhe Shkencës, Ministrise se Shëndetësisë, Ministrise se Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit si dhe Ministrise se Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave.

Në këtë takim ishin prezentë edhe Kryetari i Bashkisë së Vorës dhe përfaqësues të bisneseve private.

Nga donatorët, pjesëmarrës në takim ishin këshilltarët për zhvillim të përfaqësive diplomatike të akredituara në Tiranë dhe përfaqësues të Institucioneve Financiare Ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri. 

Prezantimi i Znj. Vokshi u fokusua në dy aspekte:

1– Hapat e ndërmarra deri më tani nga ana e Qeverisë në adresimin e menjëhershëm të problematikave dhe përmirësimin e situatës në zonën e Gërdecit, ku përveç përgjigjes imediate për rehabilitimin e zonës, u përmendën në detaje ndihma financiare e alokuar si nga buxheti i shtetit ashtu edhe nga donacionet e kompanive / individeve privatë dhe donatorëve. Gjithashtu është bërë identifikimi i nevojave prioritare për ndërhyrje në sektorët kyç si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, mjedisi dhe shërbimet sociale.

2 – Hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për bashkërendimin e planeve të të gjitha institucioneve qeveritare me komunitetin e  donatorëve për mbështetjen financiare të prioriteveve të prezantuara nga Qeveria.

Donatorëve iu propozuan instrumenta konkretë për orientimin e financimeve të tyre nëpërmjet projekteve ekzistuese dhe agjencive zbatuese që aktualisht kanë projekte të ngjashme.

Kjo do të sigurojë një ndërhyrje të menjëhershme në zonë dhe monitorim më efektiv të këtij procesi nga ana e Qeverisë dhe donatorëve.

Donatorëve ju kërkua që të angazhonin fondet e tyre në sektorët e interesit brenda muajit maj, në mënyrë që ato të përfshihen në buxhetin afatmesëm.

Në rast se fondet nga ana e donatorëve nuk bëhen efektive brenda një kohe të shkurtër, Qeveria do të akordojë fonde të tjera shtesë për nevojat më imediate të zonës.

Përfaqësuesit e lartë të Ministrive të Linjës dhe ekspertët e tjerë bënë prezantime të projekteve për të normalizuar sa më parë gjendjen ne zonën e Gërdecit.

Ky takim u përshëndet nga ana e donatorëve, si një iniciativë e rëndësishme e Qeverisë Shqiptare për koordinimin e nevojave prioritare me burimet e financimit për rindërtimin e Gerdecit. Nga ana e donatorëve çështjet e ngritura kishin të bënin me qëndrueshmërinë e projekteve të tyre në të ardhmen dhe sigurimin nga ana e Qeverisë që donacionet të zbatohen dhe të kontrollohen në mënyrë sistematike.

Nga ana e Qeverisë u prezantua një plan konkret aktivitetesh me donatorët , fokusuar në çështjet sektoriale.

Në këtë axhendë përfshihet edhe një takim në nivel të lartë politik.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›