E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet Marrëveshja për rinovimin e sheshit “Skënderbe”

Këshilli i Ministrave miratoi sot Marrëveshjen e financimit të projektit për rinovimin e sheshit “Skënderbe”. Kryeministri Berisha, duke falënderuar Kryeministrin e Kuvajtit për këtë Marrëveshje, e konsideroi atë një shembull jo vetëm të bashkëpunimit ndërkombëtar të qeverisë, por edhe të bashkëpunimit me qeverisjen vendore.

“Sot, miratojmë marrëveshjen me të cilën ramë dakord me Kryeministrin e Kuvajtit për të ndihmuar në rikonstruksionin e sheshit “Skënderbe”. Ky është një shembull jo vetëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, por edhe i bashkëpunimit me qeverisjen vendore. Ne nuk na pengon dallimi partiak për të pasur një partneritet me pushtetit vendor”, u shpreh Kryeministri.

Në kuadër të bashkëpunimit me qeverisjen vendore, Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Financave të finalizojë shpronësimin për ndërtimin e unazës së vogël të Tiranës.

“Ministria e Financave të bëjë realitet shpronësimin e unazës së vogël të Tiranës. Bashkia ka fondet e saj dhe ne do të ndihmojmë, sepse nuk mund të injorojmë faktin që kryeqyteti ka probleme serioze të trafikut dhe çdo përpjekje për të zgjidhur problemet e trafikut do të ndihmohet nga qeveria,” tha Kryeministri.

Kryeministri e konsideroi unazën e vogël e kryeqytetit një arterie shumë të rëndësishme që çliron trafikun në qendër të qytetit, ku dendësia e pluhurit dhe gazit karbonik është më e madhe se në çdo zonë tjetër në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›