Qeveria fillon zbatimin e projektit për ndërtimin e 1500 kilometra rrugë dytësore, me fond 420 milion dollarë
- Prioritet do t’i jepet rrugëve më të rëndësishme të zonave bujqësore dhe turistike dhe deri në fund të qershorit do të tenderohen të gjitha
Kryeministri Berisha bëri të ditur sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, fillimin e zbatimit të projektit për ndërtimin e 1500 kilometra rrugë dytësore, me një fond prej 420 milion dollarë.
“Fondi i arritur është rreth 420 milion dollarë. Projektet janë paraqitur dhe është përzgjedhur Fondi Shqiptar i Zhvillimit si institucioni i ngarkuar për prokurimin edhe zbatimin e këtyre projekteve, të cilat shtrihen në mbarë territorin e vendit nga qarku i Vlorës, respektivisht Saranda deri në qarkun e Kukësit, në veri të vendit,” tha Kryeministri.
Duke theksuar se gjatë tre viteve të fundit janë ndërtuar e ristrukturuar me qindra kilometra rrugë, që përfshihen në totalin prej 18 mijë kilometra rrugë të vendit, Kryeministri tha se projekti prej 1500 kilometrash përfshin tërësisht rrugë të zonave rurale.
Kryeministri tha se prioritet do t’i jepet rrugëve më të rëndësishme të zonave bujqësore dhe turistike, që janë dhe dy kriteret kryesore në përzgjedhjen e rrugëve që do t’i nënshtrohen ndërtimit dhe rikonstruksionit.
“Përparësi do t’i jepet rrugëve më të rëndësishme bujqësore dhe turistike. Në rrethet si Korça, qarku i Beratit apo qarqe të tjera, sigurisht përparësi kanë pasur zonat bujqësore. Në rrethe të tjera përparësi i është dhënë zonave turistike. Këto të dyja kanë qenë kriteret kryesore të përzgjedhjes të rrugëve që fillojnë dhe deri në fund të qershorit që të gjitha tenderohen.”
Kryeministri e konsideroi këtë projekt një hap të rëndësishëm për transformimin e infrastrukturës rrugore të vendit në një infrastrukturë moderne evropiane.
“Me ketë akt, ne bëjmë një hap tjetër shumë të madh drejt Shqipërisë Europiane, me një rrjet rrugor modern. Ne nuk ndërtojmë e rindërtojmë vetëm rrjetin e rrugëve kombëtare, por ndërtojmë dhe rindërtojmë edhe rrjetin e rrugëve dytësore, pavarësisht se ato shtrihen në zona rurale apo qytete. Në këtë mënyrë, ne i shkëpusim qytetet tona nga pluhuri dhe balta, i japim një nxitje të madhe tregut në zonat rurale, si dhe inkurajojmë turizmin, për të cilin Shqipëria ka shumë nevojë. Nuk ka vend më të pasur në vende turistike se Shqipëria dhe duhet t’u japim mundësi qytetarëve tanë dhe të huaj arrijnë të frekuentojnë të gjitha zonat turistike. Ne duhet t’i japim përparësi të madhe infrastrukturës së zonave turistike dhe bujqësore të vendit,” u shpreh Kryeministri.
Duke e vlerësuar fillimin e këtij projekti si përmbushje të zotimeve të marra, Kryeministri siguroi se “qeveria do t’i qëndroi besnike programit të shpallur dhe unë, Kryeministër i fjalës dhe premtimeve të mbajtura. Sado të përpiqen t’i mashtrojnë shqiptarët me headline, tituj e nëntituj, atyre çdo ditë e më shumë i rritet besimi tek Kryeministri i tyre, sepse shohin çdo ditë sesi ai dhe qeveria e tij mbajnë një e nga një zotimet. Ndaj të vazhdojmë zbatimin e programit.”
Në kuadrin e ndërtimit të rrugëve dytësore, qeveria miratoi edhe një shtesë fondi në buxhetin e Ministrisë së Brendshme për ndërtimin e rrugës Drimadh-Sopik, në qarkun e Gjirokastrës.