E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Rritja e pagave, e turpshme

Nënkryetarja e LSI-së, znj.Filloreta Kodra reagoi dje ndaj deklaratës së Kryeministrit Berisha për rritjen e pagave. Kodra i konsideroi të turpshme deklaratat e stilit bolshevik të Kryeministrit i cili guxon të tallet me të gjithë shqiptarët duke u përpjekur t’u mbushë mendjen atyre se luga bosh që ai po u ofron është një lugë plot, duke pasur edhe guximin e marrë që të krahasojë nivelin e pagave të shqiptarëve me ato evropiane. “Qeveria shqiptare është zhytur në korrupsionin më të pashembullt të këtyre 18 vjet pluralizëm dhe për këtë arsye po përpiqet t’u hedhur hi syve shqiptarëve me gjoja qeverinë me shpenzime më të pakta në Evropë e në botë si dhe të bindë opinionin se kusaria e qeveritarëve të tij është e justifikuar”, - tha Kodra. Sipas saj, Kryeministri i vetëquajtur komunikator, ngatërron me qëllim realitetin kokëfortë korruptiv të provuar katërcipërisht të qeverisë së tij që nga Kontrolli i Lartë i Shtetit e deri tek institucionet ndërkombëtare zyrtare e të shoqërisë civile

Ministria e Jashtme: Presidenca e Francës në BE, zhvillime pozitive

Ministria e Punёve tё Jashtme ka përshëndetur ditën e djeshme presidencën franceze në Këshillin e Bashkimit Evropian si dhe i ka uruar asaj suksese nё përballimin e sfidave gjatë këtij mandati tё rёndёsishёm. Ministria e Jashtme është shprehur më tej se është e bindur se presidenca franceze do të arrijë të ketë zhvillime pozitive për vetë BE-në, por edhe për rajonin ku bën pjesë Shqipëria. Sipas diplomacisë shqiptare, presidenca franceze vjen në një moment të rëndësishëm të Bashkimit Evropian. “Ne vlerësojmë se forcimi i bashkëpunimit të BE-së me rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili ndodhet tashmë në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit në familjen evropiane, do të vazhdojë të jetë në vëmendjen e presidencës franceze”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme. Njëkohësisht Ministria e Punёve tё Jashtme i ka shprehur falënderimet presidencёs sllovene tё BE-sё për përfundimin me sukses të mandatit të saj. “Angazhimi i presidencës sllovene ka kontribuar në forcimin e perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë kësaj presidence u plotësua rrjeti i Marrëveshjeve të Stabilizim-Asociimit me vendet e rajonit, u lançua dialogu për liberalizimin e vizave, si dhe u arrit të ruhet uniteti i BE-së gjatë zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, - thuhet në njoftimin për shtyp.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›