Harasani: Berisha, demagogji me rrogat dhe kamatëvonesat
Partia Socialiste e konsideron demagogji faljen e kamatëvonesave dhe rritjen e pagave nga ana e qeverisë shqiptare. Deputeti i kësaj partie, Andis Harasani, tha dje se qoka e tij e radhës ishte falja e kamatëvonesave të faturave të energjisë elektrike dhe rritja e pagave. “Nuk do shumë mend se në rastin e parë, Kryeministri bën demagogji, e cila në vështrim të fundit është dhe një herë një tjetër barrë që i hidhet në kurriz qytetarit të ndershëm të cilit i thuhet: Ti do të vazhdosh të paguash, sepse kush vjedh energji, kush nuk e paguan atë, do të ketë amnisti. Ti do të paguash edhe për atë që nuk paguan”, - tha Harasani. Sipas tij, Kryeministri Berisha para se të njoftonte rritjen e rrogave të sqaronte se çfarë po ndodh në të vërtetë me nivelin e jetesës së shoqërisë shqiptare. “Me një inflacion të hapur të deklaruar në masën 4 për qind, por që në të vërtetë i ka kapërcyer edhe dy-tre pikë të tjera dhe është pothuaj në nivelin e 7-përqindshit e ndoshta diçka më shumë, kjo rritje page, është në fakt vetëm një indeksim i tyre”, - deklaroi Harasani.