E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama ka braktisur bashkinë që e mori me votat e LSI-së

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim i kujtoi dje në një takim me gratë në Kombinat ish-aleatit të tij, Edi Rama, votat që i dha LSI-ja për t’u bërë kryetar bashkie. Duke shigjetuar bashkëpunimin e PS-së me mazhorancën, Meta vuri në dukje se Edi Rama ka braktisur punën e tij si kryebashkiak, duke mos u marrë me zgjidhjen e problemeve të kryeqytetit, si uji i pijshëm, ajri i pastër, hapësirat publike etj. “Është gjithashtu një situatë paradoksale, sepse kryetari i bashkisë e ka lënë këtë detyrë, detyrë që për hir së të vërtetës u bë me votat tona dhe të tuajat, ndërsa kryeqyteti vuan për ujin e pijshëm, për më shumë ajër të pastër, për më shumë hapësirë për fëmijët etj”, - theksoi ai. Edhe më parë, kreu i LSI-së ia ka përmendur këtë fakt ish-aleatit të tij Edi Rama. Në zgjedhjet e 2007-ës, diferenca e votave mes kandidatit të së majtës për Bashkinë e Tiranës dhe kandidatit të së djathtës ishin rreth 22 mijë vota, çka përkon me numrin e përgjithshëm të anëtarësisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim vetëm për qytetin e Tiranës. Kjo i ka dhënë shkas kësaj partie që të mendojë se votat e saj ishin vendimtare për të rikonfirmuar fitoren e Ramës për herë të tretë në bashki. Së bashku me mosmarrëveshjet si parti politike, marrëdhëniet PS-LSI u ashpërsuan edhe për faktin se sipas LSI-së, Rama nuk mbajti premtimin për sa më shumë përfaqësi të LSI-së në Bashkinë e Tiranës, siç ishte që posti i nënkryetarit të bashkisë t’i jepej LSI-së. Kjo nuk ndodhi dhe në vazhdim, ku Meta vendosi që të dilte nga koalicioni me Ramën, denoncoi moszbatimin e marrëveshjes që kishin para zhvillimit të zgjedhjeve. Që atëherë LSI-ja e ka shtrirë sulmin e saj kundrejt Ramës të në dy drejtime, si kryetar partie dhe si kryetar bashkie. Në lidhje me drejtimin e Bashkisë së Tiranës, LSI-ja e ka akuzuar drejtuesin e bashkisë së kryeqytetit se për shkak të dhënies së lejeve të ndërtimeve pa kriter, shkaktohen përmbytje në shumë zona të Tiranës. Së fundmi Rama u akuzua se ka përdorur policinë bashkiake për të dëbuar me dhunë banorët nga shtëpitë e tyre të cilët dispononin dokumente për pronësinë qysh nga koha e Zogut.

Brokaj: Hapja e dosjeve, lojë politike

Një prej drejtuesve të LSI-së, Sabit Brokaj, mendon se rihapja e çështjes së dosjeve të spiunëve të ish-Sigurimit të Shtetit është vetëm një lojë politike e mazhorancës për të tërhequr vëmendjen nga çështje të tjera. “Unë mendoj se janë thjesht lojëra politike. Megjithëse në tragjedinë e Gërdecit, qeveria dhe Berisha u ndihmua nga Partia Socialiste, për ta zhvendosur dhe për ta minimizuar, ajo del si një problem i madh në vazhdimësi. Ndaj, kërkohet nga PD-ja që të krijojë fokuse të tjera jashtë Gërdecit, dhe këtë radhë u gjet fokusi i spiunëve”, - tha Brokaj .Më tej ai shtoi se “nuk është sot e keqja më e madhe, problemi i atyre spiunëve që kanë vdekur pothuajse 20 vjet më parë, por e keqja më e madhe e vendit janë ata politikanë që kanë futur Shqipërinë në këtë kaos, gjendje të mjerë, pa perspektivë dhe do të thosha, në dëm të interesave ndërkombëtare”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›