Takimi Bajden-Tadiç: Nuk pajtohemi rreth Kosovës
Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden ka qartësuar në takimin me presidentin serb, Boris Tadiç, se SHBA dhe Serbia nuk mund të bien dakord për Kosovën. Duke faktuar qëndrimin e Uashingtonit, Bajden tha se “...pajtohemi se rreth Kosovës nuk pajtohemi”. Takimi “kokë më kokë” ka zgjatur rreth një orë. Pas takimit, Bajden është shprehur se në emër të administratës amerikane ka ardhur në Beograd me porosi të qartë: se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të thellojnë bashkëpunimin me Serbinë dhe se Uashingtoni mbështet anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. “Ne nuk presim që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Ky nuk është parakusht për mbështetjen tonë për Serbinë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Bajden, duke shtuar se “SHBA do të vazhdojë të insistojë që serbët në Kosovë të kenë mbrojtjen më të gjerë të mundshme dhe presin nga Serbia që në Kosovë të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë rreth Kosovës, në kërkim të zgjidhjeve pragmatike që do të avancojnë jetën e të gjithë njerëzve në Kosovë, të serbëve dhe shqiptarëve, duke shmangur që ata të bëhen viktima të mospajtimeve politike”, theksoi ai. Ndërsa presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka deklaruar se bisedimet kanë qenë shumë të “hapura dhe produktive” dhe ka shfaqur bindjen se ato do t’i kontribuojnë hapjes së “etapës së re në formimin e politikës amerikane ndaj Serbisë dhe Ballkanit perëndimor”. Nënpresidenti Bajden është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes, Dragan Shutanovac. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Bajden dhe Shutanovac kanë rënë dakord se bashkëpunimi i ushtrisë së Serbisë me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët mund të jetë “faktor kyç për stabilitetin në Ballkan”.
Kosova pret Bajdenin
Kosova ka përfunduar përgatitjet dhe sot pret nënpresidentin amerikan, Xho Bajden, me rrugë të veshura me flamuj të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Vizita konsiderohet historike dhe është mjaft domethënëse për mbështetjen për pavarësinë. Ndryshe nga shqiptarët, që e mirëpresin vizitën e Bajdenit, serbët e Kosovës kanë paralajmëruar protesta në pjesën veriore të Mitrovicës. Nënpresidenti Bajden do të vizitojë sot edhe Manastirin e Deçanit, por nuk janë parashikuar takime me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Nënpresidenti Bajden, gjatë vizitës në Prishtinë, ku do të takohet me autoritetet qendrore dhe do të mbajë një fjalim në Kuvend, do të marrë një medalje për kontributin e tij për Kosovën nga Presidenti Fatmir Sejdiu.