E Diel, 1 Nëntor 2026

Guantanamo, demokratët në Senat tradhtojnë Obamën, bllokojnë fondet për mbylljen

 

Demokratët në Senatin amerikan bllokuan sigurimin e fondeve për mbylljen e burgut të Guantanamos në Kubë, duke i vendosur kusht administratës së presidentit Obama, që më parë të prezantojë një plan të detajuar mbi të ardhmen e 240 të burgosurve në këtë burg. Kjo ishte jashtë parashikimeve të presidentit amerikan, i cili kishte objektivin për mbylljen e këtij burgu brenda janarit të vitit të ardhshëm. Mes fondeve të kërkuara për luftën në Afganistan dhe Irak nga Kongresi, presidenti Obama kërkoi edhe 80 milionë dollarë shtesë për mbylljen e burgut të Guantanamos. Në Kongres ka shqetësime se disa nga të burgosurit mund të transferohen në tokën amerikane ku të vazhdojnë dënimin apo edhe të lirohen pas deklaratës së Sekretarit të Mbrojtjes, Robert Gejts, se rreth 100 të burgosur të Guantanamos mund të transferohen në burgjet brenda Shteteve të Bashkuara. Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Heri Rid, tha se demokratët nuk do t’i miratojnë në asnjë mënyrë këto fonde pa një plan gjithëpërfshirës nga ana e Presidentit. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs e pranoi shqetësimin e Kongresit dhe tha se Presidenti Obama do të fliste mbi këtë çështje gjatë një fjalimi ditën e enjte. Edhe lideri i republikanëve në Senat, Miç Mekonell, shpresoi që Obama ta rishqyrtojë vendimin mbi Guantanamon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›