Ministria e Bujqësisë: Kujdes me akullin në lokale
Kujdes jo vetëm nga ushqimet. Akulli i cili është shoqëruesi i pijeve freskuese, gjatë stinës së verës, ka rezultuar shkaktar i problemeve shëndetësore tek qytetarët. Alarmin e ngrenë specialistët e Ministrisë së Bujqësisë. “Ky akull gjatë procesit të shkrirjes bëhet rrezik për shëndetin e konsumatorit”, u shpreh dje drejtoresha e Sigurisë Ushqimore në këtë dikaster Valbona Paluka. Sipas Palukës, vera është stina më problematike dhe pikërisht tani duhet të rriten kontrollet, por edhe kujdesi i vetë qytetarëve. Por produkte të tjera të rrezikshme, të cilat duhet të ruhen në kushte frigoriferike e të tregtohen brenda standardeve janë ato shtazore. Kjo nuk ndodh gjithmonë. Tregtimi i mallrave në rruge shpesh shoqërohet edhe me çmime më të lira që i bën këto produkte më të lakmueshme për një pjesë të qytetarëve. Edhe pse rrezikojnë shëndetin e tyre. Gjatë muajve të parë të këtij viti janë sekuestruar dhe asgjësuar 3 mijë e 452 kuintalë produkte të tilla. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, gjatë verës pritet të intensifikohen kontrollet në dyqanet dhe hotelet e zonave turistike.