Ligji i duhanit i dështuar,por ISHP nis me reklamat
ZIRINA LLAMBRO
Ligji antiduhan që ka hyrë në fuqi dy vjet më parë është plotësisht i dështuar. Madje, gati i harruar nga pjesa më e madhe e qytetarëve. Ato që kanë ngelur që nga vënia e tij në zbatim janë vetëm tabelat e detyruara në lokale me logon “Ndalohet Duhani”. Gjithçka tjetër është kthyer ashtu siç ka qenë përpara se ai të hynte në fuqi. Tanimë edhe tavllat, të cilat për muaj me radhë ishin zëvendësuar me pjata të së gjitha llojeve janë rikthyer në tavolina. Në ambiente të mbyllura e të hapura. Por megjithëse specialistët e Institutit të Shëndetit Publik dhe të gjitha strukturat e tjera e pranojnë dështimin total të ligjit, një fushatë e gjerë sensibilizuese ka nisur. Gjithçka në kuadër të datës 31 maj ditës botërore pa duhan, e cila do të ketë të tjera aktivitete. Sipas ISHP-së, qëllimi i kësaj fushate është dobësimi i pushtetit të duhanit dhe sigurimi i mbështetjes 100% të opinionit publik, në lidhje me promovimin e ambienteve pa duhan, në bashkërendim të plotë me ligjin në fuqi. “Fushata do të kryhet nëpërmjet spoteve në televizionet kombëtare, transmetimi i të cilave do të vijojë për tre muaj me radhë, mesazhe në radio, postera, botime të ndryshme antiduhan, fletëpalosje, ndërsa në datën 31 maj, Ditën Botërore pa Duhan, do të mbahet dhe një konference për shtyp”, sqaruan specialistët e ISHP. Sipas tyre mesazhi i këtyre aktiviteteve është mbrojtja e shëndetit të komunitetit nga duhanpirja pasive. Ministria e Shëndetësisë nga ana e saj ka bërë disa herë apel për bashkërendim të punës nga të gjitha strukturat, që duhet të monitorojnë zbatimin e ligjit. Por situata ka mbetur e njëjtë. Inspektorët e higjienës e kishin paralajmëruar që në fillim dështimin e ligjit, pasi me kapacitetet ekzistuese ishte i pamundur kontrolli i të gjitha lokaleve. Madje, nuk u arritën të vileshin gjobat. Pjesa më e madhe e subjekteve nuk denjuan t’i paguajnë me gjithë paralajmërimet për sanksione të tjera.