E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti vendos per raundin e ardhshem per Presidentin

Parlamenti do të caktojë nesër datën për raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e Presidenti të ri, pas dështimit të raundit të parë për këtë çështje. Në një njoftim të bërë publik në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë sqarohet se anëtarët e partisë socialiste nuk dhanë konsensus që raundi i dytë të vendoset të hënën në orën 10:00, siç u ra dakord edhe nga shumica e anëtarëve, por kërkuan zhvillimin e seancës të martën në orën 10:00.

Njoftimi i plotë i faqes zyrtare të parlamentit:
Sot më dt. 30.05.2012 u mblodh Konferenca e Kryetarëve për të caktuar datën për zhvillimin e raundit të dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë.
Në konferencë u morën në shqyrtim të gjitha opsionet e mundshme që lejon rregullorja dhe në përfundim shumica e anëtarëve të Konferencës mbështetën propozimin që raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Shqipërisë të zhvillohet ditën e hënë, dt. 04.06.2012, ora 10:00.
Anëtarët që i përkasin grupi politik të Partisë Socialiste nuk dhanë konsensus për këtë datë pasi kërkuan zhvillimin e Seancës ditën e martë, dt. 05.06.2012, ora 10:00.
Në këto kushte, Konferenca gjykoi që (për mungesë konsensusi), zgjedhja e njërës prej këtyre alternativave duhet të bëhet sipas rregullores në seancën e nesërme parlamentare.

Raundi i parë dështoi për mosarritje konsensusi mes palëve
Raundi i parë dështoi për shkak të mos arritjes së një konsensusi nga mazhoranca dhe opozita lidhur me kandidaturën e paraqitur me konsensus nga mazhoranca dhe aleatët e saj.
Mazhoranca ka propozuar si kandidat të saj për president të vendit anëtarin e gjykatës kushtetutese Xhezair Zaganjori i cili u përzgjodh mes disa propozimeve të figurave po nga drejtësia apo nga fusha e diplomacisë.
Sipas Kushtetutës procesi i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri bëhet në pesë raunde, nëse zgjedhja nuk arrihet në raundin e parë dhe kandidatët të marrin 84 vota të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do të kryhet çdo shtatë ditë, derisa kandidatët që do të jenë në garë të sigurojnë një mbështetje maksimale. “Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni”, thuhet në nenin 86 të Kushtetutës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›