Vidhen tre objekte kulti në dy ditë
Shkodër/Xhamitë në tri lagje të qytetit janë vjedhur gjatë ditës, midis vakteve që kryhen ritet përkatëse të faljes
Policia ende nuk ka arritur tek autorët, përveçse dyshon se ata mund të jenë adoleshentë, por pa emra konkretë
SHKODËR - Tre objekte kulti të fesë islame janë bërë pre e grabitjeve të arkave të parave menjëherë pas festës së Fiter Bajramit. Në harkun kohor të dy ditëve, pikërisht të martën dhe të mërkuren, është konstatuar vjedhja e parave që lihen nga besimtarët në arkat përkatëse në xhamitë e lagjeve "Kiras", "Parrucë" dhe "Bahçallëk".
Kanë qenë kujdestarë të këtyre objekteve dhe besimtarë të cilët, teksa kanë mbërritur për të kryer ritet përkatëse në kohët e faljes, kanë konstatuar se paratë në arkat e veçanta janë vjedhur.
Vjedhjet
Të mërkurën, në kohën e kryerjes së ritit të faljes në drekë, në xhaminë e lagjes "Kiras" është konstatuar se arka e saj ishte e boshatisur dhe paratë që ndodheshin aty, rreth 30 000 lekë të reja, ishin grabitur.
Një ditë më parë janë vjedhur dhe paratë në arkat e xhamive të lagjes "Parrucë" dhe "Bahçallëk", ndërsa autorët mbeten ende të paidentifikuar. Këto fakte pohohen nga punonjës që kujdesen për këto institucione dhe besimtarë që shkojnë aty çdo ditë për të kryer ritet përkatëse.
Mësohet se arkat vendosen tek dera e objektit dhe aty, sipas dëshirës, hidhen para. Ndërsa objektet e kultit nuk kyçen dhe rrinë të hapura gjatë gjithë kohës, mungesa e parave nëpër arka është konstatuar në kohën e caktuar për ritet përkatëse të besimit islam.
Kjo për faktin se besimtarët, por edhe kujdestarë të objekteve nuk qëndrojnë gjatë gjithë ditës në xhami, por vetëm në kohën kur duhet të falen. Duket se kjo gjë u ka lënë kohë të mjaftueshme hajdutëve për të vjedhur.
Policia
Mësohet se janë bërë denoncimet përkatëse në polici, por kjo e fundit nuk është shprehur zyrtarisht për këtë, ndonëse e pohon se vjedhjet kanë ndodhur. Dyshohet se autorë të këtyre vjedhjeve janë adoleshentë, të cilët kanë hyrë gjatë ditës në objektet e kultit kur aty nuk ka besimtarë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ato të jenë të organizuar nga persona të tjerë të rritur, që qëndrojnë jashtë ambienteve ku realizohet vjedhja.
Gjatë ditëve të Fiter Bajramit, nëpër xhami lihen shuma të konsiderueshme parash nga besimtarë të ndryshëm dhe kjo duket se është shfrytëzuar nga hajdutët, të cilët vijojnë të mbeten të paidentifikuar.
Vjedhjet e objekteve fetare në Shkodër nuk janë të shumta, megjithatë sidomos pas një feste të tillë si Fiter Bajrami ku besimtarët kanë agjëruar për një muaj, një veprim i tillë lë një shije shumë të hidhur.