E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi, Berisha i kërkon homologut kinez njohjen e Kosovës

Vizita e Kryeministrit shqipta, Sali Berisha në Pekin është mbyllur ditën e djeshme ku Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës, Wen Jiabao ftoi në një takim të zgjeruar homologun shqiptar. Në këtë takim, Kryeministri shqiptar i ka kërkuar homologut të tij që Kina të njohë pavarësinë e Kosovës. Gjatë kësaj bisede, Berisha ka pasur mundësinë që t’i shpjegojë homologut kinez Jiabao situatën në rajon si dhe faktin se Kosova nuk ka qenë pjesë e Serbisë, por e Serbisë së Madhe dhe se njohja e saj është kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryeministri kinez, vend i cili ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit në OKB, dha një përgjigje diplomatike. Ai u shpreh në takimin me Berishën se Kina respekton të drejtën dhe vullnetin e popujve, por Kina mbetet e mendimit se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Takimi

Takimi i zgjeruar mes dy liderëve është përqendruar edhe në shumë pika të tjera, ku së bashku përkujtuan edhe 60-vjetorin e lidhjeve diplomatike. Kryeministri kinez Jiabao shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë te mira, me perspektivë shumë optimiste për bashkëpunimin dypalësh. Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e rritjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, kur në këtë moment, Kina po kthehet në një gjigand botëror. “Kam qenë këtu në vitin 1996, me dy qëllime. Qëllimi i parë, të falënderoja kombin kinez për ndihmën ndaj Shqipërisë, duke hapur dhjetëra e qindra fabrika ku u punësuan dhjetëra e mijëra njerëz, por që qeveria e atëhershme u tregua mosmirënjohëse dhe e mbylli vendin në një izolim ekstrem, duke mos ndjekur kursin e reformave të Kinës që ndërmori Ten Xiao Pin. Qëllimi i dytë, ishte vendosja e marrëdhënieve dypalëshe në një stad të ri”, - tha Berisha.

Ftesa

Kryeministri kinez tha se këtë vit do të jetë 60-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ndërsa Berisha i tha atij se në të shkuarën, Kryeministri Çu En Lai vizitoi 3 herë Shqipërinë. “Ka ardhur koha që në 60-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, shqiptarët të mirëpresin Kryeministrin kinez, si një kulminacion i marrëdhënieve”, - i tha Berisha homologut kinez. Kryeministri Jiabao pranoi ftesën dhe tha se do të vizitonte Shqipërinë sapo të krijohej mundësia. Në takim, Kryeministri Berisha vuri në dukje se Kina po njeh progres të madh dhe kjo është e rëndësishme jo vetëm për Kinën, por për tërë planetin. Kryeministri kinez Jiabao tha se do të inkurajojë biznesin kinez për të investuar në Shqipëri dhe se do të dërgojë shumë shpejt një ekip që të vlerësojë fushat me interes për investimet kineze. Njëkohësisht, Kryeministri Berisha tha se ishte e rëndësishme mbulimi dhe garantimi i investimeve kineze nga institucionet financiare kineze, ndërkohë që Shqipëria do të ofrojë lehtësira të mëdha për biznesin kinez, si për shembull zona të lira ose parqe industriale, të cilat po ndërtohen këtë vit në Shqipëri. Berisha foli në takim mbi potencialet energjitike, hidrike, minerale, infrastrukturore të vendit tonë dhe Kryeministri kinez tha se këto fusha janë më me rëndësi për investimet. Kryeministri shqiptar u shpreh se do të ishte me rëndësi një marrëveshje partneriteti strategjik dypalësh që do të nxiste bashkëpunimin ekonomik. Kryeministri kinez Jiabao tha se kjo ekzistonte me Bashkimin Evropian dhe mund të bëhej dhe me Shqipërinë. Berisha shprehu mirënjohjen për grantin e qeverisë kineze, i cili i është dhënë Shqipërisë dhe kërkoi mundësinë për një kredi të butë që do të shkonte në rimëkëmbjen e infrastrukturës që ka trashëguar Shqipëria. “Kjo gjë, - theksoi ai, - do të vlerësohej shumë nga qeveria shqiptare”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›