E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Thaçi Pacolli e Mustafapa marrëveshje

PRISHTINE-Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell mblodhi dje në selinë e ambasadës së tij kryetarin e PDK-së, njëkohësisht kryeministrin Hashim Thaçi, kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidatin për president, Behxhet Pacolli. Biseda është përqendruar kryesisht në gjetjen e një zgjidhjeje të krizës aktuale, por palët nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim të qartë sa i takon kësaj çështjeje. Nderkohe Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, ftoi partitë politike që nga e mërkura t’i nisin konsultime për të gjetur një zgjidhje në lidhje me zgjedhjen e presidentit.

Kryeministri Hashim Thaçi dhe i kandiduari për president nga koalicioni qeverisës, Behxhet Pacolli, zhvilluan të martën një takim me liderin e LDK-së, Isa Mustafa, ku morën pjesë edhe përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë.

Përveç një takimi të përbashkët, u tha se janë zhvilluar edhe takime të ndara me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, si dhe shefin e ICO-së, Piter Feith. Takimet u mbajtën larg mediave dhe nuk u kumtua të jetë arritur ndonjë marrëveshje.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, tha se këto janë përpjekje politike për tejkalimin e nyjës së zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Makolli tha se beson që këto përpjekje politike, ku janë përfshirë edhe ndërkombëtarët, do të rezultojnë me një zgjidhje dhe marrëveshje konkrete.

Kryesia
Një ditë para takimeve që ka thirrur ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, PDK-ja zhvilloi një mbledhje kryesie, në të cilën mungoi kryetari i saj, Hashim Thaçi. Mediat kosovare bënë të ditur se për këtë mbledhje është shprehur kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie, Adem Grabovci. "PDK-ja do të bëjë çdo gjë që është e mundur, që të gjejë një zgjidhje e cila do ta nxirrte vendin nga kriza aktuale", - tha ai dje. Sipas tij, PDK-ja nuk pranon dot propozimin e LDK-së për një marrëveshje politike, që zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë të mbahen vitin e ardhshëm.
AKR
Dje në drekë mediat njoftuan mundësinë e tërheqjes së Pacollit nga kandidimi i dytë për postin e presidentit. U bë e ditur se ai është shprehur se do të tërhiqej nga gara nëse kjo është në të mirën e zgjidhjes së krizës. Por një gjë e tillë u hodh poshtë nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, i cili dje foli dhe për përpjekjet e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës institucionale. "Unë besoj që do të mbizotërojë arsyeja dhe përgjegjësia e klasës politike në Kosovë për t'u dhënë zgjidhje problemeve, me të cilat po përballet vendi. Në këtë mënyrë edhe të hapet rrugë për proceset shumë të rëndësishme, në të cilat ka hyrë Kosova dhe që do të përballet ditëve dhe javëve në vijim. Gjithsesi, besoj shumë që vendi do të ketë president të zgjedhur ditët në vijim", - u shpreh ai. Sa i takon publikimit të disa emrave për postin e presidentit, AKR-ja me anë të një njoftimi për shtyp u shpreh e shqetësuar, pasi e konsideroi këtë si "lojë politike". "AKR-ja është e vendosur që të respektojë marrëveshjen e koalicionit dhe për këtë i inkurajon të gjitha partitë politike në Kosovë që të arrijnë kompromis për proceset e ardhshme politike në Kosovë, "por jo duke luajtur me emra presidentësh. Debatet për emrin e presidentit janë pjesë e lojërave politike. AKR-ja bën thirrje për zhvillimin e kontakteve të mëtejshme të partive politike parlamentare për të dalë nga kriza", thuhet në njoftimin e shtypit të kësaj partie.

Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, ftoi partitë politike që nga sot t’i nisin konsultime për të gjetur një zgjidhje në lidhje me zgjedhjen e presidentit.
Kriza me zgjedhjen e presidentit pasoi aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u konstatua se zgjedhja e Pacollit në postin e presidentit në seancën e 22 shkurtit nuk i ka respektuar procedurat kushtetuese, kështu që procesi tani është kthyer në zero.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›