E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi i NATO-s,Basha, në krah të djathtë të Rice



Vendet e Kartës së Adriatikut morën vendimin të ftojnë Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi për t’iu bashkangjitur Kartës. Ky vendim reflekton besimin e palëkundur se zgjerimi i Kartës së Adriatikut do të forcojë më tej bashkëpunimin shumëpalësh dhe rajonal dhe do të avancojë integrimin euroatlantik

I ulur në krah të djathtë të Condoleezza Rice, kryediplomati shqiptar, Lulzim Basha, u kërkoi homologëve të vendeve anëtare të NATO-s që të mbyllin sa më shpejt procesin e ratifikimit të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, me ftesë të Sekretares Amerikane të Shtetit Condoleezza Rice, mori pjesë në drekën transatlantike në SHBA, ku jo rastësisht ishte ulur mes homologes Rice dhe ministres së Jashtme të Austrisë, Ursula Plasnik. Kjo është hera e parë që Shqipëria dhe Kroacia ftohen për të marrë pjesë në Takimin Transatlantik që mbahet çdo vit gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në këtë drekë ishin të pranishëm ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s, Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilëve u kujtoi se duhet të përmbyllin ratifikimin e anëtarësimit. Në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura mësohet të jenë diskutuar çështje të aktualitetit gjeostrategjik dhe sigurisë. Gjithashtu ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, mori pjesë në takimin e Kartës së Adriatikut, ku të pranishëm ishin Ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit, Daniel Fried dhe ministrat e Jashtëm të Kroacisë dhe Maqedonisë. Në takim u ritheksua mbështetja edhe për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë. Vendet e Kartës së Adriatikut në këtë takim morën vendimin të ftojnë Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi për t’iu bashkangjitur Kartës.

Dreka e BEDZ

Ministri Basha në cilësinë e kryetarit të radhës së Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ) kryesoi një drekë pune të ministrave të Jashtëm të 12 vendeve anëtare të kësaj organizate. Rritja e efektivitetit dhe efikasitetit të punës së BEDZ-it ishte tema kryesore e kësaj dreke pune. Ministrat e Jashtëm mbështetën Dokumentin e Direktivave për Përmirësimin e Efektivitetit dhe Efikasitetit të BEDZ-it të hartuar nën kujdesin e Presidencës Shqiptare. Ministrat e Punëve të Jashtme ranë dakord që të adaptojnë formalisht këtë dokument gjatë Ministerialit që do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti. Duke vënë theksin në situatën e rënduar të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Detit të Zi si rezultat i konfliktit të armatosur midis Gjeorgjisë dhe Rusisë, ministrat e punëve të jashtme rikonfirmuan edhe një herë se qëllimi kryesore i organizatës është garantimi i paqes dhe sigurisë nëpërmjet intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik. Po ashtu, ministri Basha mori pjesë në Mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës nën drejtimin e Ministrit të Jashtëm të Suedisë, Karl Bildt, i cili kryeson Presidencën e radhës. Gjatë qëndrimit në SHBA, ministri Basha mori pjesë dhe në Forumin e Aleancës së Civilizimeve. Bashkëjetesa fetare, dialogu ndërkulturor, harmonizimi i civilizimeve etj., ishin temat kryesore të ngritura në këtë forum. Duke vlerësuar rëndësinë e këtij forumi në kuadër të kontributit që vendet duhet të japin në zgjidhjen e konflikteve, ai nënvizoi rolin e modelit shqiptar si tepër të dobishëm në një botë që kërcënohet vazhdimisht nga konfliktet.

Basha-Miloshoski: Maqedonia të njohë Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, zhvilloi një takim të veçantë me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Antonio Miloshoski. Duke shpresuar në mbarëvajtjen e negociatave mbi çështjen e emrit, ministri Basha theksoi se është e rëndësishme që të dyja vendet tona të vazhdojnë përparimin e përbashkët në rrugën e anëtarësimit të plotë në NATO dhe BE., Shkëmbimi i eksperiencës me vendet e rajonit që janë përpara këtij procesi, - theksoi ministri Basha, - është i rëndësishëm për institucionet tona respektive. Lidhur me zhvillimet në Kosovë, ministri Basha shprehu besimin se Maqedonia do të vazhdojë qëndrimin e sajë konstruktiv, për të finalizuar me njohjen e shpejtë të pavarësisë së Kosovës në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon. Liberalizimi i vizave, si hap i mëtejshëm në intensifikimin e marrëdhënieve mes vendeve të Evropës Juglindore, ishte një tjetër çështje që ministri Basha diskutoi me ministrin Miloshoski. Heqja e regjimit të vizave mes vendeve të rajonit, - theksoi ministri Basha, - është kontribut konkret drejt rrugëtimit sa më të shpejtë në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›