E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, strategji për votën e emigrantëve

Në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit, partitë politike kanë hartuar strategjitë për të tërhequr sa më shumë komunitete rreth vetes, duke i përkthyer ato në vota ditën e zgjedhjeve. Emigrantët, kryesisht ata që jetojnë në Greqi dhe Itali, nisur nga numri i tyre i madh, mund të jenë përcaktues të rezultatit zgjedhor, nëse shumica e tyre do të kthehej në vend për të votuar. Duke qenë se edhe Kodi i ri Zgjedhor nuk e zgjidhi dot çështjen e votës së emigrantëve aty ku jetojnë, zgjidhja mbetet ajo e përhershmja, kthimi në Shqipëri. Nisur nga ky fakt, të majtët kanë organizuar strukturat e tyre partiake në vendet ku jetojnë më shumë emigrantë. Partia Socialiste ka degët e saj në Greqi (Athinë e Selanik); në Itali (Rimini, Milano, Romë). Sakaq, Lëvizja Socialiste për Integrim ka ngritur degët e saj në Greqi, Itali, Gjermani dhe Angli. Me afrimin e zgjedhjeve janë intensifikuar takimet me grupe emigrantësh ose nënshkrimet e marrëveshjeve me parti që përfaqësojnë interesat e tyre.

Deputetët e PS-së, Ben Blushi, Pandeli Majko e Alfred Dalipi zhvilluan një takim me emigrantët shqiptarë në Veria të Greqisë. "Një shtet që aspiron të bëhet pjesë e Evropës i duhet t‘u garantojë qindra mijëra qytetarëve të vetë që jetojnë si emigrantë në kufij me vendin ku kanë lindur të drejtën e votës", ishte mesazhi që dhanë deputetët socialistë Pandeli Majko dhe Alfred Dalipi. Ata u bënë apel emigrantëve që më 28 qershor të vijnë në Shqipëri dhe të shprehin vullnetin e tyre nëpërmjet votës. Sakaq, deputeti Ben Blushi theksoi se duhet edhe vullneti i emigrantëve për të ndryshuar të ardhmen e vendit më 28 qershor.

"Kemi një shans më 28 qershor që t‘i rikthejmë shqiptarëve shpresën dhe këtë nuk mund ta bëjmë dot pa ju. Ne kemi në dorë që me votën tonë, në datën 28 qershor, ta ndryshojmë qeverinë e Shqipërisë. Të ndryshojmë qeverinë e Shqipërisë, për të sjellë në pushtet një qeveri më të mirë, e cila na i garanton të gjitha këto dhe në radhë të parë na garanton Evropën", theksoi Blushi.

Në të njëjtën kohë, LSI-ja nënshkroi dje një marrëveshje elektorale me Partinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, që drejtohet nga Ymer Kurti. "Vetëm atëherë kur Parlamenti i Shqipërisë do të njohë të drejtën e votës të shqiptarëve që jetojnë sot jashtë, atje ku ata jetojnë, padyshim që Shqipëria do të jetë më e bashkuar, por natyrisht që ne do të nxjerrim nga zgjedhjet parlamentare një qeveri që do të kujdeset me përkushtim dhe në mënyrë të pandërprerë për të drejtat e të gjithë shqiptarëve që sot jetojnë jashtë", deklaroi kreu i LSI-së.

Ndërsa kryetari i Partisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, Ymer Kurti, nënvizoi si thelbësore çështjen e së drejtës së votës, edhe pse emigrantët sot ndeshen edhe me një mori problemesh të tjera. "Kështu dua të kujtoj që është mohuar e drejta kushtetuese e votës, gjithashtu edhe Ministria e Punës, megjithëse ka një Drejtori për Emigracionin, nuk ka regjistër themeltar, ku punojnë dhe jetojnë dhe nuk dihet saktësisht sa emigrantë janë jashtë shtetit", u shpreh Kurti. Në Kuvendin e Shqipërisë, para se të miratohej ligji i ri zgjedhor, mbërritën dy nisma ligjore për të mundësuar votimin e emigrantëve aty ku ata jetojnë, por asnjë prej tyre nuk u bë objekt diskutimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›