Takimi i ministrave të BE-së, Jeremiç shmang përballjen me Thaçin
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, ka shmangur takimin ballë për balë me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi, të dy të pranishëm në Samitin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në Slloveni. Ai ka marrë pjesë në seancën e paradites, ku ka shprehur angazhimin e vendit të tij për bashkëpunim me BE-në dhe më pas ka deklaruar se duhet të kthehej shumë shpejt në Beograd. “Dua të jem sa më shpejt në Beograd për të nisur fushatën europiane të Serbisë”, - është shprehur Jeremiç për gazetarët. Në këtë takim, përfaqësuesi serb u premtoi homologëve të BE-së se së shpejti do të arrestojë të dyshuarin për krime lufte, Ratko Mladiç. Ministri serb ka përsëritur se pavarësia e Kosovës ishte e rrezikshme dhe kjo do të shfrytëzohet nga nacionalistët në zgjedhjet e 11 majit në Serbi. Jeremiç u tha ministrave se nuk është e sigurt nëse forcat pro-europiane në Serbi do të fitojnë shumicën përderisa Kosova vazhdon të shihet si shtet i pavarur. Më herët kryediplomati serb ishte kundër pjesëmarrjes së një delegacioni kosovar në këtë samit të BE-së.
Ministrat e Jashtëm të BE-së zhvilluan në Bërdo të Sllovenisë konsultimet me homologët e tyre nga vendet ballkanike për të ardhmen e rajonit. “E ardhmja e Ballkanit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës” ishte edhe motoja e takimit që u organizua nga Presidenca Sllovene e radhës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, para takimit joformal në Slloveni u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Dejvid Miliband dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Karl Bildt. Thaçi gjatë takimeve të ndara edhe një herë ka falënderuar Britaninë e Madhe dhe Suedinë për ndihmën që i kanë dhënë Kosovës gjatë gjithë procesit të njohjes. Ai ka marrë mbështetjen e ministrave Miliband dhe Bildt për vizionin që po ndjek qeveria dhe institucionet e Kosovës drejt integrimeve europiane. Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer, deklaroi para takimit se ai e sheh pavarësinë e Kosovës si një mundësi për stabilizimin e rajonit. Me tone të qarta Shtajnmajer tha se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme për Bashkimin Europian. “Kjo do të thotë se nuk do të lejohet ndarja e Kosovës”, - tha ai. Ndërkohë, komisionari europian për Zgjerim, Oli Rehn, ka paralajmëruar se BE-ja do të lejojë serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe të caktuara për 11 maj. Rehn tha se edhe propozimi i Ahtisarit parashikon mundësinë që serbët e Kosovës të kenë lidhje speciale me Serbinë. Ndërkaq, duke komentuar deklaratën e kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, se politikanët serbë nuk do të votohen më në Kosovë, Rehn tha se është në kontakt permanent me kryeministrin Thaçi dhe se do të rekomandojë që të mos i bëhen obstruksione këtij procesi.
31 Mars 2008