E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në PPE, premtim solemn për zgjedhje të lira

 

ADI SHKEMBI

Kryeministri Sali Berisha garanton nga Varshava liderët e partive të djathta të Evropës, se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë sipas të gjitha standardeve. Premtimin, kreu i qeverisë, e bëri gjatë kongresit të jashtëzakonshëm të PPE-ve, ku mbajti një fjalim mbi zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri. Berisha tha para të pranishmëve se “ne po shkojmë drejt zgjedhjeve në qershor dhe unë bëj këtu një premtim solemn për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe do ta mbaj këtë premtim, me gjithë përkushtimin tim. Dhe ju ftoj ju, partive të PPE, të dërgoni vëzhgues, sepse shqiptarët kanë nevojë të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të lënë mbrapa grindjet për zgjedhjet”. Pasi garantoi zhvillim e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kreu i qeverisë shprehu bindjen se Partia Demokratike e drejtuar prej tij do të fitojë një tjetër mandat qeverisës, megjithëse shtoi se është i vendosur të pranojë verdiktin e popullit. “Por gjithashtu, ndonëse jam i vendosur për të pranuar dhe respektuar çdo verdikt të kombit tim, kam kënaqësinë t’ju informoj se ne do t’i fitojmë këto zgjedhje, sepse shqiptarët janë njerëz të mençur, ata e dinë se të votosh majtas do të thotë të votosh për mure dhe ata nuk do të votojnë për mure, do të votojnë për horizonte, për horizonte që shndërrohen në realitet, horizonte që, me ndihmën tuaj, do të shndërrohen në realitet përsëri”, theksoi më tej Berisha. Kreu i ekzekutivit shqiptar, i bëri thirrje homologëve të tij evropianë të inkurajojnë biznesmenët e vendeve të tyre, të vijnë për të investuar në Shqipëri. Sipas tij vendi ynë është vendi me taksat më të ulëta në Evropë. “Sot vendi im është vendi me taksat më të ulëta në Evropë, ju lutem, thoni investitorëve tuaj të vijnë në vendin tim, përfundimisht ata do të jenë të lumtur. Ata do të gjejnë një taksë të sheshtë 10 %, 15 % kontribut social dhe 1.5 % taksa e biznesit të vogël. Unë do të vazhdoj me revolucionin fiskal. Por cilat janë të ardhurat, mund të më pyesni ju? Ato rriten çdo vit me 22 %, çdo vit unë kam dërguar në qershor një buxhet të dytë shtesë në parlament”, vijoi më tej Berisha. Duke u ndalur në këto katër vite të mandatit të qeverisë së djathtë, kreu i ekzekutivit u shpreh se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ishin objektiv i saj, të cilat sipas Berishës u përmbushën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›