Blushi e Majko në Greqi: Emigrantët të vijnë në votime
Deputetët socialistë Ben Blushi, Pandeli Majko e Alfred Dalipi zhvilluan me emigrantët shqiptarë një takim në Veria të Greqisë. Deputetët socialistë janë shoqëruar dhe mbështetur në takimet e tyre dhe nga homologët helenë të PASOK-ut si dhe nga përfaqësuesit e zgjedhur lokalë. Takimin me emigrantët shqiptarë e përshëndeti Kryetarja e Bashkisë së Verias, Uzuxhoglu, si dhe deputetët të parlamentit grek. Deputetët socialistë i bënë apel emigrantëve, që në 28 qershor të vijnë në Shqipëri dhe të shprehin vullnetin e tyre nëpërmjet votës. Duke folur në takim, deputeti Ben Blushi theksoi se duhet edhe vullneti i emigrantëve për të ndryshuar të ardhmen e vendit më 28 qershor. “Ju keni ikur nga mungesa e shpresës. Kemi një shans në 28 qershor që t’i rikthejmë shqiptarëve shpresën dhe këtë nuk mund ta bëjmë dot pa ju. Ne kemi në dorë që me votën tonë në datën 28 qershor ta ndryshojmë qeverinë e Shqipërisë. Të ndryshojmë qeverinë e Shqipërisë, për të sjellë në pushtet një qeveri më të mirë, e cila na i garanton të gjitha këto dhe në radhë të parë na garanton Evropën”, tha Blushi.