E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi me Topallin Ruçi: “Mazhoranca po na provokon”

Autori i Lajmit: S.T

Mazhoranca dhe opozita i rikthehen debatit për hapjen e kutive të votimit. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, menjëherë pas mbledhjes së Grupit, zhvilloi një takim me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ku diskutoi miratimin në Kuvend të kalendarit për përfshirjen e nismave të saj. Gjatë këtij takimi nuk kanë munguar debatet për shkak se kryeparlamentarja ka lënë të fundit në rendin e ditës, kërkesën e socialistëve. Po ashtu, në rendin e ditës u përfshi dhe Gjykata Administrative, projektligj që ka më shumë se një vit që po zvarritet për shkak të mungesës së opozitës në Kuvend. Të dyja këto vendime, Ruçi i konsideroi si provokim dhe, madje, pohoi se mazhoranca po zvarrit zgjidhjen e krizës.
Takimi
“Takimi te Kryetarja e Parlamentit ishte lidhur me seancën e pasdites. Lidhur me kërkesën që ne kemi depozituar aty, për ta shqyrtuar në datën 18 të këtij muaji. Ajo që ne na shqetësoi, është se ndërsa ne kemi vullnet politik dhe kryem një hap institucional, duke marrë dy nisma përkatëse, nga krahu tjetër jo vetëm që nuk po lexojmë vullnet të mirë politik, por njëherësh, me procedura parlamentare, kërkohet të zvarritet. Kështu që në projektvendimin që i paraqitet sot Parlamentit, parashikohet që Komisioni i Ligjeve do ta shqyrtojë atë në datën 16 dhe njëherësh në seancën në datën 18 mars”, - tha Ruçi pas takimit. Sipas tij, në kushtet kur opinioni publik kërkon me padurim për të zgjidhur këtë krizë politike, në kushtet kur partnerët tanë ndërkombëtarë presin lajme për zgjidhjen e kësaj krize, nga mazhoranca jo vetëm që nuk shihet vullnet i mirë, por shikohet që me procedura parlamentare, kërkon që ky problem të zvarritet. “Kjo ishte arsyeja që unë isha te Kryetarja e Parlamentit dhe kërkova që dy nismat tona të diskutohen në fillim të seancës, sepse sipas kalendarit, janë parashikuar që të jenë në fund të seancës. Jemi në pritje të një përgjigjeje, të shohim se çdo të ndodhë në seancën e Parlamentit”, - tha ai, ndërsa pohoi se ky ishte një provokim tjetër. Ju e dini që opozita nuk ka marrë pjesë deri tashmë në komision. “Nuk ka marrë pjesë në seancat e Parlamentit dhe nuk ka për të marrë pjesë. Ky është një provokim për arsye se një ligj kaq të rëndësishëm dhe opozita duhet për ato reforma që kërkojnë mazhorancë të cilësuar, në kushtet që ky projektligj është diskutuar në komision dhe seancën përkatëse opozita nuk është numër në një Parlament dhe në një demokraci”, - tha Ruçi. Pak ditë më parë, Konferenca e Kryetarëve ra dakord që Kuvendi të miratonte në seancën e 18 marsit nismat e PS-së, ndërkohë që paraprakisht do të diskutohej për to në seancë apo dhe në Komisionin e Ligjeve. Gjatë këtij takimi është rënë dakord vetëm për procedurat, por jo për objektin e hetimit, çka përbën dhe mollën e sherrit mes demokratëve dhe socialistëve.

Ky lajm është publikuar: 05/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›