E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri i nisur në Ardenicë vazhdon në kodrat e Vajkanit

Flakët vazhdojnë të përfshijnë sipërfaqe të tjera me shkurre dhe drufrutorë, duke e rritur edhe më shumë shkallën e dëmit.
     
Me gjithë prezencën e shtuar të efektivave dhe mjeteve të policisë zjarrfikëse, të efektivave të policisë dhe vet banorëve të zonës, flakët përparojnë pasi terreni nuk lejon ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse për shkak të infrastrukturës rrugore.

Gjithsesi puna për shuarjen e zjarrit është përqendruar të izolimi i vatrave të flakëve, duke krijuar brezat ndarës brenda sipërfaqes që kërcënohet të digjet. Terreni mjaft i vështirë dhe sipërfaqja tejet e gjerë e vatrës së zjarrit, rreth 1 km gjatësi, bëjnë që edhe këto masa të mos jenë shumë efikase. Zjarri ndihmohet edhe nga një erë e lehtë që vazhdon të fryjë nga perëndimi.
     
Megjithëse momentalisht nuk mund të flitet zyrtarisht për shkallën e dëmit dhe sipërfaqen e prekur nga flakët, mendohet që ajo të ketë shkuar në shifrat rreth 10 ha shkurre, ullinj dhe drufrutorë të tjerë, të mbjellë nga fermerët.
     
Policia ka identifikuar dhe ka ndaluar nën akuzën e shkatërrimit të pronës 70-vjeçarin Alush Shaja nga fshati Ardenicë. /Start/

                                                                                             2011-08-11 16:20
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›