Takimi pa konsensus, mazhoranca propozon Artan Hoxhën

Artan Hoxha është kandidati zyrtar i mazhorancës për kreun e ri të shtetit që do të votohet nesër në Kuvendin e Shqipërisë. Pas 3 orë negociatash në kryesinë e kuvendit, 4 krerët e partive parlamentare, Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta dhe Shpëtim Idrizi nuk kanë mundur të arrijnë konsensus për një kandidat të përbashkët për postin e kreut të ri të shtetit. Opozita nuk e ka pranuar kandidaturën e Artan Hoxhës duke e cilësuar atë si një kandidaturë nga oborri i kryeministrit.
Në fjalën e tij pas takimit, kreu i PS-së Edi Rama theksoi se pas një përpjekje të gjatë nuk është arritur konsensus me mazhorancën.
“Bëmë një përpjekje të gjatë intensive, të plotë, të vullnetshme për ti dhënë shqiptarëve atë që në këndvështrimin tonë meritojnë, një president konsesusal dhe për ti dhënë familjes europiane një sinjal që është i vetmi që duhet të jepte politika shqiptare në këtë proces. Fatkeqësisht nuk gjetëm atë mirëkuptim dhe vullnet që duhet të shprehte qeveria shqiptare e cila besoi e kupton fare mirë se moszgjedhja e një presidenti konsesusal është një sinjal negativ dhe është një zhvillim që nuk thotë gjera të mira për 12 tetorin kur Shqipëria do të vlerësohet” theksoi Rama.
Ai ka theksuar më tej se opozita ka paraqitur në mënyrë të detajuar vizionin e saj. Unë u përpoqa të shpjegoj se ajo çfarë kërkojmë ne, nuk është një president i opozitës por një proces i dakortsuar për një president konsensual në mënyrë që t`i hapet rrugë një procesi ku qeveria dhe opozita duhet të nxitojnë dhe brenda qershorit ti thoshin familjes europiane që Shqipëria e bëri të sajën dhe statusi i kandidat është diçka që duhet marrë në konsideratë si një moment tejet i rëndësishëm jo vetëm sot por edhe për të ardhmen” shtoi më tej Rama.
Nga ana e tij, kreu i LSI-së Ilir Meta bëri publike se mazhoranca nesër në Kuvend do të paraqitet me kandidatin zyrtar për president, zotin Artan Hoxha.
“Artan Hoxha është një personalitet i shoqërisë civile, me një karrierë dhe eksperiencë tepër të pasur, me një karrierë administrative, por me një angazhim dhe përkushtim të shtuar edhe si ekspert në fushën e reformave ekonomike dhe që kërkon procesi europian i vendit” theksoi Meta.
Më tej Meta shtoi se nga ana e mazhorancës në tryesë janë paraqitur 4 emra dhe nga ana e opozitës nuk është pranuar asnjë prej tyre.
“Shprehin keqardhje pasi përpjekja jonë kishte si qëllim pikërisht që të arrihej konsensus megjithatë ne besojmë se emri që tashmë kemi vendosur të jetë kandidat për postin e presidentit gëzon një konsensus më të gjërë sesa ai mazhorancës, në vetë opinionin publik dhe mediatik” shtoi Meta. Kreu I LSI-së, Meta gjithashtu theksoi se Artan Hoxha i ka të gjitha mundësitë për të përmbushur me përgjegjësi postin e kreut të shtetit si dhe të ngrejë edhe urat e komunikimit me opozitën.
Kryeministri Berisha e ka cilësuar si një përzgjedhje të standarteve më të mira, kandidaturën e mazhoranës për president, Artan Hoxhën. Sipas kryeministrit edhe pse nuk u arrit konsensusi, mazhoranca bëri gjithcka për ta arritur atë.
“Ishte një takim i zgjatur, në të cilin palët diskutuan hapur. Mazhoranca bëri një pëpjekje të madhe që të afrohej përsëri me opozitën. Pikërisht për këtë qëllim ne përzgjodhëm kandidatura të njohura për reputacionin e tyre në fushat përkatëse, ministra të cilët ose kanë punuar në kohëra të ndryshme në të dyja krahët ose kanë vlerësimin e të dy krahëve. Përzgjodhën personalitete të shquara por megjithë shkëmbimin e hapur të mendimeve nuk u arritëm në një kandidaturë konsensuale me opozitën. Ndërkohë mazhoranca vendosi që nesër të paraqesë për votim në parlament një personalitet të shquar të shoqërisë civile dhe publicistikës shqiptare por drejtuesin e institutit të studimeve bashkohore, institut që është edhe hartuesi i të gjitha ligjeve dhe reformave ekonomike gjatë së paku 12 viteve të fundit. Është Artan Hoxha në drejtim të këtij instituti në bashkëpunim me agjensitë më presitigjoze ka dhënë së bashku me stafin një kontribut në reformat e realizuara gjatë dekadës së fundit” ka shtuar Berisha. Kryeministri Berisha është shprehur i bindur se shqiptarët do të përfaqësohen me dinjitet nga kreu i ardhshëm i vendit të tyre.