Fokus/Themelohet Lidhja Mbarëshqiptare e Forumeve Rinore
Në kuadër të shënimit të 134 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, forumet rinore të partive politike shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë e Preshevës, kanë nënshkruar deklaratën e lidhjes mbarëshqiptare të forumeve rinore. Formimi i Lidhjes ka si qëllim bashkërendimin e aktiviteteve të forumeve rinore, kjo dhe në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i FRPD, Gerti Bogdani, tha se “ky vit shënon ngjarjen më të rëndësishme në historinë e Ballkanit, 100 vjetorin e pavarësisë së shqiptarëve”. “Ndaj, është shumë e rëndësishme që sot jemi mbledhur të gjithë së bashku për të bashkëpunuar, pa dallim dhe ndasi, dhe nuk ka se si të jetë ndryshe, sepse ngjyrat e flamurit kombëtar janë pikë bashkimi”, u shpreh kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Për kreun e LRI-së, Endrit Brahimllari është koha që të rinjtë të tregojnë kapacitetet e tyre. “LRI është kontribuuese me të gjitha format për vazhdimësinë e kësaj nisme. Është koha që të rinjtë të tregojnë kapacitetet e tyre. Të rinjtë duhet të kontribuojnë për forcimin e vlerave kulturore e historike, u shpreh ai. Ndërsa i pari i të rinjve të PDK-së së Kosovës, Memli Krasniqi tha se kjo është një iniciativë e mirë e të rinjve shqiptarë, kurse Gent Begolli, që udhëheq forumin e të rinjve të AAK-së u shpreh se koha është në favor të shqiptarëve.
...