E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana dhe Elbasani, tashmë shumë pranë “bashkimit” - punimet për tunelin u realizuan për 11 muaj

10-06-2012 / Nga Leonard Quku

Berisha: Edi Rama të kërkojë ndjesë për tunelin dhe të lejojë deputetët e tij ta vizitojnë atë

Autostrada Tiranë-Elbasan do të bëjë të mundur krijimin e një nga tregjeve më të mëdha të Ballkanit dhe më gjerë. Me ndërtimin e kësaj rrugë u bë i mundur bashkimi i Tiranës dhe i Elbasanit, ashtu sikundër u bë i mundur shkurtimi i distancës mes kryeqendrës së shqiptarëve dhe të gjitha trevave në anën tjetër Kërrabës. Një rol të rëndësishëm në këtë autostradë ka dhe tuneli i Qafë-Kërrabës

Pasi bashkoi shqiptarët në të dy anët e kufirit, kryeministri Sali Berisha “rrëzoi” edhe murin që ndante në një distancë prej më shumë se 1 orë, Tiranën dhe Elbasanin, dy qytete fqinjë, por të karakterizuar nga lartësia dhe gjarpërimi i Qafës së Kërrabës. Përfundimi i punimeve në tunelin e Kërrabës me gjatësi 2.4 km, 6 muaj përpara afatit në kontratë i jep përparësi qarkullimit të shpejtë të automjeteve në rrugën e re, ndërsa aktualisht punimet po avancojnë në trasenë e autostradës e cila në masën mbi 80 për qind është rrugë e re.
Në një atmosferë festive, kryeministri Berisha, Ministri Olldashi, ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë të qarkut të Tiranës dhe Elbasanit, drejtues të pushtetit lokal, përfaqësues të kompanisë AKTOR si dhe qindra qytetarë elbasanas dhe banorë të zonave përreth, asistuan dje në shfaqjen e dritës në anën tjetër të tunelit, dhe nisjen e një faze të re ndërtimi, në vazhdimin e autostradës Tiranë-Elbasan.
Kreu i qeverisë, Sali Berisha tha se tuneli i Kërrabës përbën një nga segmentet më të rëndësishme të gjithë infrastrukturës së vendit si nyjë lidhëse e Korridorit 8.
“Kjo, është dita me të cilën Tirana kryeqyteti i vendi, Elbasani një nga kryeqendrat shekullore të shqiptarëve, bashkohen tashmë me dritën e këtij tuneli, bashkohen përjetë njeri me tjetrin. Tuneli që sot inauguruam për bashkimin e të dy anëve, përbën një nga segmentet me nevralgjike të të gjithë infrastrukturës së vendit. Tuneli dhe rruga Tiranë-Elbasan, janë segmenti më i rëndësishëm i Korridorit të 8, janë segmenti kryesor i Korridorit të Jugut, është autostrada, e cila do të shkurtojë pothuaj me një orë distancën e Tiranës me të gjitha zonat e tjera që lidhen me këtë Tunel. Është segmenti jugor që ofron me një orë së paku Shkupin me Tiranën, Tetovën me Tiranën, Maqedoninë me Shqipërinë. Ndërtimi i këtij tuneli filloi në shtator të vitit 2011. Në shekuj tuneli ka qenë një ëndërr fisnike e shqiptarëve, të cilët për të ardhur në Tiranë do të duhej të ngjiteshin në lartësinë e maleve që ndanin Tiranën me Elbasanin. Kjo ëndërr në më pak se 11 muaj u bë realitet, në më pak se 11 muaj ëndrra bashkoi dy qytete, bashkoi Elbasanin me kryeqytetin e vendit, shkurtoi distancën e të gjitha vendeve të tjera përtej malit të Kërrabës me kryeqytetin. Shqiptarët do të kenë me këtë tunel një gjenerator të fuqishëm të zhvillimit të tyre dhe si tuneli, si autostrada e energjisë së tregut, do të bëjë fuqizimin e madh të tregut të Elbasanit dhe Tiranës dhe do të krijojë një nga tregjet më të mëdha të Ballkanit dhe më gjerë. Tuneli dhe rruga kanë një çmim prej rreth 1 çerek miliard dollarë, investim ky i qeverisë shqiptare e tëra me mbështetjen e Bankës Islamike për Zhvillim. Është një rast për ti shprehur mirënjohjen më të thellë, presidentit të bankës, mikut të shquar të kombit shqiptar Muhamed Ali, i cili me një akt madhor miqësie, garantoi kreditimin edhe pasi ne kishim filluar ndërtimin e tunelit. Tuneli dhe rruga përbëjnë pas rrugës së kombit, veprën e dytë më madhore që ndërtohet në Shqipëri. Unë jam këtu për tu zotuar para jush, se gjysmën e parë të vitit 2013 Tirana dhe Elbasani do të bashkohen përjetësisht njëra me tjetrën. Sigurisht që ndërtimi i këtij Tuneli dhe kësaj rruge ishte një nga vendimet më të mëdha të qeverisë sonë, për të bashkuar Tiranën dhe Elbasanin, për të shkurtuar me një orë distancën e të gjitha vendeve të tjera. Ishte vendimi ynë për të nderuar Shqipërinë dhe shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë së tij. Unë kam bindjen se  në këtë 100 vjetor, çfarëdo që të ndërtonim ne, çfarëdo që të bënim ne, nuk do të mund të bënim një dhuratë më të bukur për Tiranën, Elbasanin, Korçën, Pogradecin, Beratin, Librazhdin, Gramshin, Kolonjën, Bilishtin dhe banorët e këtyre zonave. Tunelin e inauguruam në vitin e 100 vjetorin e pavarësisë, dëshmi e fuqisë së shqiptarëve të lirë për të transformuam vendin e  tyre me shpejtësinë më të madhe, dëshmi e energjisë së tyre për të shndërruar  Shqipërinë në një nga vendet më të zhvilluara të rajoni. Tunelin e bashkuam në prag të 134 vjetorit të kryengjarjes së historisë sonë kombëtare të bashkimit të shqiptarëve rreth idealit të tyre në lidhjen e Prizrenit. Kohërat kanë qenë për Europën dhe më gjerë ndër më të vështirat në  80 vitet e fundit, por qeveria dhe reformat e saj mbështetja që ju u bëtë atyre, kanë bërë të mundur ndërtime, të cilat në shumë raste dalin jashtë imagjinatës së qytetarëve shqiptare. Do t’ju lexoj këtu si një akt nderimi për çdo qytetar shqiptare mesazhin e një zonje këtë mëngjes, sesi e ndien ajo gëzimin e kësaj dite. “Legjendat për njerëzit që përshkojnë malet, po bëhen një realitet i zakonshme. Ditë emocionuese, kam  edhe vajzën inxhiniere tek Tuneli”. Unë edhe në emrin tuaj dua t’i përcjell kësaj zonje urimet më të përzemërta kënaqësinë time, që e ndaj me të  gëzimin e kësaj dite. Të përgëzoj vajzën e saj për punë e shkëlqyer dhe me përkushtim që ka bërë dhe bën në këtë autostradë jetike për zhvillime e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se autostrada dhe tuneli u bënë të mundura nga buxheti i vitin 2011 dhe në vazhdim, vite këto të karakterizuar nga vështirësitë më të mëdha në Rajon dhe në Botë. Por, tha Berisha vështirësia më e madhe ishte nata e miratimit të buxheti, natë në të cilin deputetët e opozitës e mbajtën parlamenti deri ne 5 të mëngjesit, vetëm e vetëm që të bllokonim fondet e Tunelit.
Në këtë drejtim, kreu i ekzekutivit i ka bërë thirrje kryesocialistit Edi Rama tu kërkojë ndjesë qytetarëve për votën kundër ndaj buxhetit për tunelin e Kërrabës.
“Unë jam këtu për ti bërë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, mos i pengo deputetët e tu të vizitojnë Tunelin dhe autostradën, siç po bën me rrugën e kombit, së dyti kërkojuni të falur publikisht qytetarëve të Elbasanit, Tiranës, Gramshit, Librazhdit, Korçës, Pogradecit, Bilishtit dhe Kolonjës, sepse vota  juaj kundër fondeve të Tunelit nxin dhe do të nxij si zift i vërtet në analet dhe arkivat e Parlamentit shqiptar, ndaj dhe kërkoni ndjesë. Sot është ditë gëzimi për mbarë shqiptarët, sytë dhe mendjet e tyre janë të drejtuara në këtë shesh. Në emër tuaj le ti përshëndesim ne të gjithë ata dhe një përshëndetje të veçantë për qytetarët e Dibrës, Tetovës, të Maqedonisë dhe ti sigurojmë ne, se njëlloj siç bashkuam ne Tiranën me Elbasanin, siç bashkuam Kombin do të bashkojmë Dibrën me Tiranën, me Durrësin dhe më gjerë”, theksoi më tej kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha falënderoi me mirënjohje të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e firmës greke AKTOR. S. A., të cilët në një kohë rekord realizuan një vepër të përmasave të tilla që i bashkohet një serie veprash publike, të realizuara në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë.

Autostrada Tiranë-Elbasan, segmenti strategjik i Korridorit 8
Rruga Tiranë-Elbasan, e cilësuar si segmenti më nevralgjik, i Korridorit 8, ka si pjesën më të rëndësishme të saj, Tunelin e Kërrabës, punimet për të cilin shënuan vlerën e 101 milion dollarëve, investim i buxhetit të shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim.
Tuneli me gjatësi 2,4 kilometra, ka dy tuba me nga dy korsi secila, me gjerësi 8 metra dhe lartësi 5 metra për secilin tunel.
Punimet cilësore, të realizuara sipas parametrave më bashkëkohore, e rendisin këtë vepër me dinjitet përkrah infrastrukturave më moderne evropiane.
Tuneli ndodhet rreth 13 km larg qytetit të Tiranës dhe rreth 10 km larg qytetit te Elbasanit.
Në total janë gërmuar 470.000 m3 shkëmb dhe janë realizuar 60 për qind e punimeve fizike. Kanë filluar punimet e metrave të parë të betonimit të Tunelit, për të vazhduar më pas me punimet elektro-mekanike të tij.
Për hapjen e tij u deshën 9 muaj punë intensive 24 orëshe dhe një angazhim maksimal i Kontraktorit dhe Supervizorit të Punimeve.
Tuneli i Kërrabës, së bashku me akset rrugore para dhe pas tij, respektivisht me gjatësi 13 kilometra dhe 11.5 kilometra i japin jetë një rrugë të re, ndër më të  rëndësishmet, në vend, e cila shkurton distancën mes Tiranës dhe Elbasanit në 29.7 kilometra, duke e përshkruar atë vetëm në 18 minuta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›