E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, sot në Prizren, për 134 vjetorin e Lidhjes që simbolizon bashkimin e kombit

10-06-2012 / Gazeta 55

Kuvendi i Prizrenit përkon edhe me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë


Kryeministri Sali Berisha do jetë sot në Prizren, ku do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e 134 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Të pranishëm do të jenë edhe autoritetet më të larta të Kosovës si presidentja, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. 134 vjetori i Lidhjes që simbolizon bashkimin e Kombit, përkon edhe me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ceremonitë jubilare për të cilin, do kulmojnë me një festë madhështore në 28 nëntor të këtij viti. Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 - 1881) zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në kuvendin shqiptarë të mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878. Qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte vilajetet osmane të Prizrenit, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës. Lidhja ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, administrativisht dhe ushtarakisht për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë. Lidhja shqiptare duhej përgatitur për të luftuar, në përshtatje me rrethanat që do të krijoheshin, jo vetëm kundër shteteve shoviniste fqinje, por edhe kundër Perandorisë Osmane. Në një mbledhje të fshehtë, që u zhvillua natën në shtëpinë e atdhetarit prizrenas Shuaip Spahiu, u zgjodhën anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, që vishej me funksione legjislative dhe, të Komitetit Kombëtar, që do të ushtronte funksione ekzekutive. Në Këshillin e Përgjithshëm u zgjodhën 56 anëtarë nga krahinat shqiptare të të katër vilajeteve si Iljaz pashë Dibra, Ali pashë Gucia, Sheh Mustafa Tetova, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Ahmet Koronica, Haxhi Shabani, Binak Alia, Ali Ibra, Ali Pashë Draga, Ali bej Tirana, Qazim Bej Gjirokastra etj. Lidhja e Prizrenit fitoi bazën ligjore për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar. Lidhja Shqiptare e Prizrenit është etapa paraprake para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›