E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi pas divorcit, alarm për pengmarrje

E gjithë policia e Tiranës është vënë në lëvizje dy net më parë për një pengmarrje, e cila është denoncuar nga pronari i një lokali. Ngjarja ka ndodhur pranë Spitalit Ushtarak, ku sipas policisë, dyshohej se kamerierja e një lokali ishte rrëmbyer nga një person i njohur. Kjo ka sjellë reagimin e menjëhershëm të policisë, që ka kontaktuar me denoncuesin. Sipas të dhënave nga policia, në orën 22:10, në sallën operative ka telefonuar Ilir Sh., pronari i një lokali në Rrugën e Dibrës. Ai ka shpjeguar për policinë se një person, i cili ka pasur lidhje me kamerieren e lokalit, kishin bërë debat dhe më pas ai e kishte marrë me vete me forcë, duke u larguar me një makinë. Kaq është dashur për policinë, e cila ka identifikuar dhe targat e makinës, duke e shpallur në kërkim. Në një kohë të shkurtër, policia ka mundur të gjejë personin, i cili dyshohej për rrëmbim, i cili është shoqëruar në komisariat. Ai është shprehur për policinë se ata ishin larguar me dëshirë dhe nuk kishte asnjë rrëmbim. Madje, ai ka treguar edhe për banesën e kamerieres, të cilën e kanë marrë në pyetje uniformat blu. Dy protagonistët e ngjarjes kanë shpjeguar për uniformat blu se ata njiheshin prej vitesh dhe kanë qenë të fejuar. Sipas dëshmive, tre vjet më parë ishin ndarë, por kishin edhe një fëmijë, sot 4 vjeç. Ndërsa kamerierja, (emrat e dy personave nuk publikohen për arsye etike), është martuar sërish dhe pret një tjetër fëmijë. Duke arritur në ngjarjen e dy netëve më parë, ata kanë shpjeguar se ishin takuar miqësisht, me qëllim që babai të takonte fëmijën. Pasi kanë qëndruar si klientë në këtë lokal, kanë vendosur të largohen dhe kamerierja është shoqëruar deri në banesë. Pas kësaj, ata janë ndarë dhe nuk ka pasur asnjë rrëmbim. Pasi policia ka marrë deklarimet përkatëse, të dy personat janë lënë të lirë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›