E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri maska grabisin një sallë lojërash fati

Persona të maskuar kanë grabitur një kazino në plazhin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së hënë, duke shkaktuar panik te dy punonjësit që ndodheshin në atë orë të natës në kazinonë "Apex". Tre persona të maskuar kanë hyrë furishëm në ambientet e një lokali të lojërave të fatit në zonën e plazhit dhe pikërisht në sektorin "Hekurudha" të kësaj zone, duke bërtitur me zë të lartë dhe fyer dy punonjësit që gjendeshin aty. Grabitja ka ndodhur rreth orës 02.00 të së hënës në kazinonë "Apex" me administrator Altin Kundraxhiun. Tri maskat kanë hyrë brenda duke fyer arkëtarin Admir K. 23 vjeç dhe punonjësin e sigurisë Florian M. 30 vjeç. Nga dëshmitë e tyre rezulton se maskat e kanë rrahur duke e goditur me grushte Florianin, që në momentin që kanë hyrë në ambientet e kazinosë, ndërsa arkëtari i saj me të parë situatën e krijuar, i frikësuar është fshehur prapa makinerive. Njëri prej personave të maskuar, sipas dëshmisë së punonjësve, është afruar te banaku dhe ka marrë në sirtarin ku mbaheshin paratë një shumë prej 80.000 lekësh dhe më pas të tre janë larguar. Nuk është bërë e ditur nëse personat kanë qenë ose jo të armatosur. Në momentin që ka ndodhur ngjarja në lokal nuk ka pasur asnjë klient, përveç dy punonjësve që janë bërë pjesë e ngjarjes. Me të marrë njoftim autoritetet kanë nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërkohë që burime nga grupi hetimor bënë të ditur se hetimet janë përqendruar kryesisht te klientët e kazinosë që kryesisht humbasin shuma të konsiderueshme parash në të. Nuk përjashtohet as implikimi në këtë ngjarje i ndonjë prej punonjësve të këtij lokali që ofron lojërat e fatit. Për ngjarjen ka nisur procedimi penal për vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›