E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi për Kosovën në Vjenë, merr pjesë Thaçi

Hashim Thaçi

VJENE- Takimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën do të mbahet sot në Vjenë të Austrisë, me pjesëmarrjen edhe të kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi.

Sipas raporteve të disa mediave, në takim do të bëhet fjalë për situatën në Kosovë, ndërsa pritet të diskutohet edhe agjenda e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën përbëhet nga 25 përfaqësues të shteteve që kanë njohur Kosovën, ndërsa detyrë e tij është të monitorojë zbatimin e Planit të Marti Ahtisarit mbi bazën e të cilit, në shkurt të 2008-ës, është shpallur pavarësia e shtetit kosovar.

Kërkohet udhërrëfyes për mbylljen e ICO-s

Drejtorët për Ballkanin në Ministritë e Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Grupin Drejtues Ndërkombëtar (shtetet që njohin dhe promovojnë pavarësinë e Kosovës) do të diskutojnë sot për punën e deritashme të Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe pritet të shqyrtojnë një udhërrëfyes për përmbylljen deri në fund të këtij viti të kësaj zyre dhe shuarjen e GDN-së.

Edhe pse zyrtarisht, nëse merret një vendim i tillë, shuarja e këtij grupi do të argumentohet me përmirësimet e dukshme në terren në përmbushjen e Pakos së Ahtisaarit, ka diplomatë që pranojnë se edhe shpenzimet financiare të ICO-s janë shkaktarë pse disa shtete nuk duan që kjo zyrë të ekzistojë shumë më gjatë në Kosovë.

Sa i përket mbylljes së kësaj zyre, me gjithë dëshirën që të lëvizet përpara me planet për mbylljen e saj, që në një mënyrë do të shënojë edhe formalisht përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, disa shtete janë të vetëdijshme se ka shumë sfida që duhet zgjidhur para se të ndodhë një gjë e tillë. Mbi të gjitha përmendet situata e tensionuar në veri dhe pamundësia e shtrirjes së autoritetit të institucioneve shtetërore të Kosovës edhe në atë pjesë. Në anën tjetër, edhe pse përmbahen nga kritikat publike, pamundësia e EULEX-it që të vendosë rendin dhe ligjin në atë pjesë të Kosovës është arsye për pakënaqësi.(Koha Ditore)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›