E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau kambistin , avokati kërkon ekzaminim psikik të 25-vjeçarit

I akuzuari Dilaver Adushaj nuk ka qenë dje i pranishëm në sallën e gjyqit dhe më pas është lënë në arrest me burg

Gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë, arrest me burg pa afat për Dilaver Adushaj, 25 vjeç nga Roskoveci i Fierit, i akuzuar për vrasjen e kambistit 60-vjeçar Ethem Spahia. Vetë i akuzuari nuk ka marrë pjesë në seancën gjyqësore të vlerësimit të masës së sigurisë. Edhe pse policia kishte marrë paraprakisht masa sigurie në ambientet e jashtme dhe të brendshme të gjykatës, në orën dhjetë, orë e caktuar për nisjen e seancës gjyqësore, nga automjeti i burgut nuk ka zbritur i akuzuari. Mjetet e policisë janë tërhequr pak minuta para se të niste seanca gjyqësore. Në seancën për vlerësimin dhe dhënien e masës së sigurisë kanë qenë të pranishëm, përfaqësuesja e palës së akuzës prokurore Alketa Ziflaj, si dhe pala mbrojtëse avokat Edmond Toska. Ky i fundit është vendosur kryesisht nga ana e gjykatës, në bazë të listës së paraqitur në këtë institucion prej Dhomës së Avokatisë Fier. Këta të fundit u vunë përballë gjyqtarit Gentian Hamitaj. Seanca gjyqësore u mbajt me dyer të mbyllura. Në fillim të saj prokurorja Ziflaj i kërkoi gjyqtarit që për shkak të natyrës së çështjes dhe ruajtjes së dëshmive, seanca të zhvillohej pa praninë e medias, kërkesë e cila u mor parasysh nga gjyqtari Hamitaj. Avokati në fjalën e tij i kërkoi gjykatës që të bëjë vlerësimin psikik të klientit të tij. “Unë, deklaroi avokati, nuk kam mundur të shkëmbej asnjë fjalë me klientin tim. Ai është në një gjendje të rënduar shëndetësore dhe psikike. Për këtë arsye kërkoj ekzaminimin psikik prej mjekëve të tij. Ndërsa gjithçka tjetër, unë e lë në dorë të gjykatës që të vendosë. Në fund të seancës gjykata vendosi të vlerësojë të ligjshëm arrestin ndaj shtetasit Dilaver Adushaj dhe të vendosë si masë arresti ndaj tij “arrest me burg pa afat, deri në përfundim të hetimeve gjyqësore”. Ditën e diel, Adushaj qëlloi me thikë kambistin Ethem Spahia në qendër të qytetit Fier. Pas ngjarjes për të cilën akuzohet, ai ka mbajtur nën tension forcat policore për rreth një orë e gjysme duke deklaruar se do të vriste veten me thikën e krimit e më pas ai është dorëzuar në polici. Ndërsa në njoftimin për shtyp policia deklaroi se vrasja është kryer për motive të dobëta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›