Libi, rebelët: Kemi rrethuar Gadafin
Rebelët në Libi kanë rrethuar disa ndërtesa në Tripoli, ku mendohet se aty mund të ndodhet Gadafi. Po ashtu, rebelët kanë marrë nën kontroll edhe aeroportin, pas luftimeve me forcat e Gadafit.
Më herët luftëtarët opozitarë thanë se janë të përkushtuar për ta gjetur Gadafin, në mënyrë që ta shpallin fitoren përfundimtare në këtë kryengritje, e cila filloi para gjashtë muajsh dhe ishte ndihmuar nga sulmet ajrore të NATO-s, që kryengritjes i dhanë mbështetje madhore.
Zyrtarët e NATO-s thonë se ata nuk po i japin mbështetje të afërt ajrore kryengritësve në Tripoli. Liderët e kryengritësve në Libi thonë se ata dëshirojnë që Gadafi të sillet para drejtësisë në Libi, megjithëse ai dhe djali i tij, Saif al-Islam, po ashtu janë të akuzuar për krime kundër njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Këshilli Tranzicional Kombëtar i kryengritësve ka shpallur një shpërblim prej 1.7 milion dollarësh për kapjen e Gadafit, të gjallë ose të vdekur.