E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, vijojnë përplasjet për buxhetet vendore

03/02/2009  Projektbuxheti i Bashkisë së Korçës

Projektbuxheti për Bashkinë e Korçës pësoi dje të njëjtin fat me projektbuxhetin e kryeqytetit, duke mos u votuar në këshillin bashkiak. Mosvotimi i këtij buxheti shtoi më tej tensionet mes dy partive të majta, pasi PS-ja nuk vonoi të akuzojë LSI-në për një marrëveshje mes saj dhe PD-së për të rrëzuar dokumentin e Bashkisë së Korçës. Nga ana e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim e hodhi poshtë një pretendim të tillë, duke theksuar se votimi nuk u bë i mundur për shkak të mungesës së kuorumit.

Akuzat

Sipas PS-së, përmes qëndrimit në këshillin bashkiak të Korçës Meta e Berisha rrëzuan interesat e qytetarëve të Korçës. “Ilir Meta u bashkua me Sali Berishën për të rrëzuar buxhetin e qytetarëve të Korçës. Pas Tiranës edhe Korça bëhet peng i interesave të oborrit të Ilir dhe Monikës. Edhe në Korçë Ilir Meta grisi kontratën e 18 shkurtit 2007 dhe riktheu vitin 2005, duke na treguar dhe një herë se mes PS-së dhe PD-së ai ka zgjedhur Berishën, njësoj si në 2005-n”, - deklaroi zëdhënësja e kryesisë së PS-së Mimi Kodheli. Duke shfrytëzuar një gjë të tillë, Kodheli bëri thirrje për të gjithë socialistët “që me idealizëm e pasion e ndoqën mbrapa Ilirin më 2005 që të kuptojnë se sot është dita e bashkimit të ri për të ardhmen dhe e ndarjes me politikën e dasive të vjetra të së shkuarës”. Por dhe LSI-ja, nga ana e saj, nuk vonoi të sqaronte mbi votimin e projektbuxhetit në këshillin bashkiak të Korçës. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Petrit Vasili, duke u ndalur në këtë çështje, deklaroi se “është e qartë se e gjithë kjo tymnajë krejtësisht qesharake dhe butaforike nuk ka si qëllim të mbrojë buxhetin e Korçës dhe qytetarët e këtij qyteti, por kërkon të krijojë një fokus të ri artificial dhe të tërheqë vëmendjen nga problemet e rënda dhe shpërdorimet e mëdha të buxhetit të 2008-s nga Bashkia e Tiranës”. Sipas tij, në këshillin bashkiak të Korçës nuk ka pasur asnjë votim, se nuk është arritur kuorumi dhe LSI-ja është pro këtij buxheti.

Konflikti

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim u përplasën pak ditë më parë mes tyre për shkak të rrëzimit të projektbuxhetit për Bashkinë e Tiranës. Për dy herë radhazi një projekt i tillë rrëzohet në këshillin bashkiak të kryeqytetit. Në seancën e dytë ishin votat e PD-së dhe të LSI-së ato që rrëzuan dokumentin e hartuar nga kjo bashki. Kështu, duke marrë shkak nga një qëndrim i tillë, Partia Socialiste nuk kurseu akuzat ndaj LSI-së, e cila ka deklaruar se do të vijojë të votojë kundër buxhetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›