Nano siguron votën e Dules dhe të Harasanit

Fatos Nano
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut pritet që të mbështesë ish kryeministrin Fatos Nano në garën për President. Në një intervistë për TCH, Vangjel Dule lë të hapur mundësinë e votimit për ish liderin e opozitës. Besoj se nuk ka arsye përse PBDNJ, që ja ka dhënë besimin nëpërmjet firmës së kandidaturës të zotit Nano në 2007, ta refuzojë në 2012-ën. Por të gjitha këto do të jenë objekt i takimit javës që vjen.
Personalisht do ta vlerësoja si kandidaturën më dinjitoze dhe me shumë shanse, por nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se procesi i zgjedhjes së presidentit do të jetë shumë i komplikuar dhe shumë i tensionuar pasi do të luhet deri në momentin e fundit dhe as nuk përjashtojmë surprizat, deklaroi kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Në një kohë kur Partia Socialiste nuk ka ende një qëndrim të qartë rreth kandidaturës së Fatos Nanos, deputeti i saj, Andis Harasani, vlerëson kandidimin për postin e Presidentit të ish kryeministrit socialist.
Mendoj se për sa kohë Partia Socialiste nuk i ka numrat e mjaftueshëm në parlament për të zgjedhur, për të vendosur presidentin, mendoj që gjeja më e mirë që ne mund të bëjmë është që të mbështesim një kandidaturë e cila vjen nga Partia Socialiste, i cili është ish-kryetar i PS, reformatori i PS, zotin Nano. Sigurisht që ka ende kohë, duhet të ketë bisedime të zotit Nano me kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Rama dhe kryesinë e PS. Besoj dhe do e mbështes sepse mendoj se është më e mira, jo thjesht për Fatos Nanon, por është më e mira për institucionin e Presidentit që në atë karrige të ulet zoti Nano, theksoi Harasani.
Java e ardhshme do të jetë tepër intensive për ish kryeministrin Fatos Nano i cili pritet të takojë kryesocialistin Edi Rama për ti kërkuar mbështetjen në garimin e tij për president në muajin korrik. /L.T/