Shqiptaro-amerikanët dënojnë deklaratën e Tadiçit
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dënoi deklaratat politike të Presidentit serb, Boris Tadiç, gjatë vizitës së tij për festën e Pashkëve në Deçan. Duke shkelur në mënyrë direkte dhe flagrante Kushtetutën e Kosovës, Presidenti Tadiç shprehu pretendimet territoriale të Serbisë përkundrejt Kosovës, duke thënë mesazhe paqeje, “paqe për serbët, shqiptarët, për këdo që jeton në Kosovë, në Serbinë tonë”. KKSHA-ja mbështet deklaratën e Kryeministrit Hashim Thaçi se nuk do të lejohen vizita të tilla të përfaqësuesve politikë serbë, në rast se do të bëhen deklarata politike. KKSHA i ka bërë thirrje edhe pakicës serbe në Kosovë që të dënojë deklaratën e Presidentit serb, ndërsa ka nënvizuar se populli i Kosovës po tregon edhe një herë zgjedhjen e tyre paqësore, duke mos lejuar provokimet e Beogradit.
Kosovë
Qeveria kërkon “bekimin” e serbëve lokalë për decentralizimin
Qeveria e Kosovës është e interesuar që të marrë bekimin e serbëve lokalë dhe jo të Beogradit për procesin e decentralizimit, i cili parasheh krijimin e komunave të reja serbe. Zyra Civile Ndërkombëtare thotë se serbët duhet ta dinë se ky është shansi i vitit për ta. Këto komente vijnë pas deklaratave të të ashtuquajturit sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, se serbët nuk mund të bashkëpunojnë nëse procesin e decentralizimit e drejton Zyra Civile Ndërkombëtare apo qeveria e Kosovës.
PSD
Të krijohet Kisha Ortodokse e Kosovës
“PSD kërkon që Kisha Ortodokse e Kosovës të ndahet nga ajo e Serbisë. Është koha për themelimin e Kishës Ortodokse të Kosovës dhe ndarjen e saj nga ajo serbe”, - u tha sot në konferencën me gazetarë të Partisë Socialdemokrate të Kosovës. “Socialdemokratet njëkohësisht kanë shprehur keqardhje për paaftësinë e institucioneve për të menaxhuar sfida të tilla, siç ishte vizita e Presidentit serb në Kosovë”, - tha zëdhënësi Gëzim Kasapolli.
Prishtinë
Ministri i Jashtëm slloven viziton Kosovën
Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovenisë, Samuel Zhbogar, nesër arrin për vizitë dyditore në Kosovë, me ç’rast do të nënshkruajë marrëveshjen e bashkëpunimit ndërshtetëror me homologun e tij kosovar, Skënder Hyseni. Kryediplomati slloven gjatë vizitës në Kosovë do të takohet edhe me Presidentin Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi, - njofton Zyra e informacionit e Ministrisë së Jashtme.
Maqedoni
Zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve në pesë komuna
U zhvillua dje në Maqedoni raundi i dytë i votimeve për zgjedhjet vendore në pesë komuna, kryesisht rurale. Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) njoftoi se votimet zhvillohen në komunat Dollnen, Zelenikovë, Mavrovë dhe Rostushë, Studeniçan dhe Çuçer Sandevë, gjegjësisht në 123 qendra të votimit. Të drejtë vote në këto komuna kanë mbi 44 mijë votues. Në këto komuna nuk u votua në raundin e parë për shkak të motit të keq që kishte përfshirë vendin më 22 mars. KSHZ-ja anuloi votimin, duke përcaktuar që raundi i parë në këto komuna të zhvillohet gjatë raundit të dytë të rregullt zgjedhor që përfundoi më 5 prill. Në këto rivotime që po mbahen sot, garojnë BDI, VMRO-DPMNE dhe kandidatë të pavarur. Me këto votime do të rrumbullakësohet procesi i zgjedhjeve vendore dhe kompletimi i pushteteve vendore në mbarë Maqedoninë. Në zgjedhjet vendore numrin më të madh të komunave e ka fituar VMRO-DPMNE me 54 komuna dhe qytetin e Shkupit, BDI 13 komuna, LSDM 7, PDSH dhe DR kanë marrë nga një komunë, 2 komuna kandidatë të pavarur dhe nga një komunë Lidhja e Romëve dhe Partia Demokratike e Turqve.