E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ardhurat buxhetore, më pak se në vitin 2008

Shifrat e realizimit të detyrimeve buxhetore janë më të ulëta se ato të parashikuara në ligjin për Buxhetin e Shtetit për vitin 2008. Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, rezulton se, për 11-mujorin 2008 ishin parashikuar 272.2 miliardë lekë të ardhura buxhetore në total. Por gjatë 11 muajve të këtij viti shifra është më e ulët, rreth 268.2 miliardë. Në të ardhurat tatimore, shifra për vitin në vazhdim është afro 1 miliardë lekë më e ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, nga Tatimet e Doganat bashkë, të ardhurat janë më të larta se vjet. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale rezultojnë, gjithashtu me rritje krahasuar me një vit më parë. Këto janë të vetmet taksa që dalin me shifra pak më të larta se vjet. Por, me akcizat ka një nivel më se 3 miliardë lekë më të ulët se një vit më parë, ndërsa tatimfitimi për ndërmarrjet është gjithashtu 1 miliard lekë më i ulët. Edhe taksat nacionale janë në nivel më të ulët, ashtu si edhe taksat doganore, por këto të fundit kanë si tendencë uljen graduale.

Kriza, sektori i industrisë sërish në rënie edhe në 3-mujorin e fundit

Aktiviteti në sektorin e industrisë, në terma të vlerës së shtuar në Prodhimin e Brendshëm Bruto, ka regjistruar për të dytin tremujor radhazi rënie vjetore gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009, duke kontribuar negativisht në rritjen e PBB-së. Sipas një vëzhgimi të kryer nga Banka Qendrore, Prodhimi i Brendshëm në sektorin e industrisë ra me rreth 6.3 për qind në tremujorin e dytë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rënie u thellua me rreth 2 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e parë të vitit aktual. Shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese në sektorin e industrisë, megjithëse ka treguar shenja të lehta përmirësimi në tremujorin e dytë të vitit 2009, mbetet nën nivelin mesatar. Të dhënat nga vrojtimet sinjalizuan tkurrjen e aktivitetit industrial gjatë gjysmës së parë të vitit 2009. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i besimit për këtë sektor, me gjithë përmirësimin e lehtë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009, vijon të qëndrojë në nivele të ulëta, krahasuar me mesataren e tij afatgjatë.

Plani 2010, qeveria synon të arkëtojë 220 milionë dollarë nga tatimfitimi

Të ardhurat në total për tatimfitimin janë parashikuar në rreth 19.4 miliardë (210 milionë dollarë) vitin 2010, me një rritje prej 10 përqindësh ndaj vitit 2009. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, të ardhurat pritet të arrijnë në rreth 1.5 për qind. Sipas Ministrisë së Financave, parashikimi për këtë zë është bazuar në parashikimin për rritjen e bazës së tatueshme, si rrjedhojë e ecurisë së PBB-së nominale si dhe të përmirësimeve të pritshme të elementit administrativ. Megjithatë, ministria pranon edhe faktin tjetër, se kriza ekonomike i ka reduktuar në masë të ardhurat nga taksa e tatimfitimit. Të dhënat e fundit nga administrata tatimore tregojnë se nga tatimfitimi qeveria ka humbur rreth 8 milionë dollarë. Po të llogarisim vlerën që i merret biznesit në masën 10 për qind, del se subjektet private kanë rezultuar me 80 milionë dollarë më pak fitime. Taksa pësoi ulje me 10 pikë përqindjeje rreth dy vjet më parë, duke rënduar arkën e shtetit në nivele të konsiderueshme. Tatimfitimi i vilet biznesit në formë paradhënie, procedurë që kundërshtohet nga privati.

28 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›