E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksat e Ramës sa një pension pleqërie, qytetarët paguajnë 7 mijë lekë për një certifikatë

Ankohen qytetarët: Taksat po i paguajmë me borxhe, nuk shohim as pastrim e as gjelbërim

Bashkia e Tiranës edhe për vitin 2010 ka rritur sërish taksat e pastrimit dhe gjelbërimit, duke e çuar kuotën totale që duhet të paguajë një qytetar nëse dëshiron të pajiset me certifikatë në njësinë vendore ku banon, në rreth 7 mijë lekë të rinj. Të lodhur nga këto politika antiqytetare të ndjekura nga kryebashkiaku Rama, qytetarët ankohen se me aq të ardhura sa u futen në familje, nuk munden asesi të paguajnë njëherësh taksat e bashkisë, të cilat

për më tepër paguhen të gjitha sëbashku njëherësh. Jetoj vetëm me burrin dhe që të dy jemi pensionistë. Erdha për të marrë një certifikatë por këto zonjat sapo më thanë se pa paguar taksat nuk mund ta merrja këtë dokument. Me çmë thanë punonjëset këtu, të gjitha taksat venin rreth 7 mijë lekë të rinj. Po kjo nuk është punë moj bijë, unë 7 mijë lekë të rinj kam gjithë pensionin. E çtë ha pastaj me plakun? Jemi dhe me ilaçe! Sot po iki ti, por nuk e di vertetë si do dal nga ky hall. Dokumenti me duhet, para nuk kam ta marr, shprehet e moshuara 69 vjeçare, Sanie Kotja. Për rrjedhojë, dhjetëra qytetarë i shtojnë listës së borxheve edhe paratë për këto taksa. Sa herë që të bie rasti të shkelësh në zyrat e gjendjes civile, prek pak a shumë të njëjtin realitet pensionistë që ankohen sapo mësojnë se taksat janë rritur sërish. Të tjerë që medoemos duan të marrin një certifikatë, nisin e shfryjnë nëpër dhëmbë. Në njësinë bashkiake nr 9, në të gjitha dyer janë vendosur edhe çmimet e reja, për taksën e gjelbërimit dhe të pastrimi, që duhet të paguajnë qytetarët. Kam ardhur në pikë të mëngjesit për të zënë radhën, pasi duhet t'i nxjerr djalit një certifikatë. Por, këto më thanë që fillimisht duhet të paguaj taksat dhe pastaj të marrë certifikatën, çtë beha u ktheva përsëri në shtëpi të merrja parat e taksave, se nuk të le Rama, e do arkën plotë. Na hëngrën me këto taksa. I paguajmë kot e këta i rrisin për vit. Rama le ti rris taksat por të paktën të na japin shërbimin, pasi, ne kemi marrë para borxh për të paguar taksat, dhe nuk shikojmë as gjelbërim as pastrim , këtë tregonte dje me zë të ulët, teksa priste në radhë, një mesogrua te minibashkia nr. 9 në Tiranë. Por, të njëjtën panoramë e shikon edhe në shumë minibashki të tjera.

Rritja e taksave për 2010
Të gjithë qytetarët që u janë drejtuar zyrave të gjendjes civile për tu pajisur me dokumente, janë ndeshur edhe me pagesat e reja të taksave. Nga janari 2010 taksat e gjelbërimit dhe ajo e pastrimit kanë pësuar rritje nga 100 deri në 500 lekë të reja. Kështu tarifa e pastrimit të qytetit është rritur me 500 lekë të reja, ndërsa ajo e gjelbërimit me 100 lekë. Krahasuar me një vit më parë tarifa e pastrimit ishte 4500 dhe u bë 5000 lekë, ndërsa tarifa e gjelbërimit ishte 400 dhe u bë 500 lekë. E thënë ndryshe një familje në Tiranë do të paguajë për të dy tarifat një shumë e cila arrin në 5500 lekë. Tarifat e reja janë afishuar pranë minibashkive në sportelet e së cilës paguhen. Por një familje paguan edhe taksën e pasurisë, bëhet fjalë për taksën mbi sipërfaqen e banesës, e cila për këtë vit ka mbetur e pandryshuar. Kjo është një nga taksat që vendorët kanë dështuar në mbledhjen e saj. Pra edhe këtë viti të ri, sikur të mos mjaftonte kriza ekonomike mbarë botërore, qytetarëve të Tiranës, kategoria e familjarëve, por edhe subjektet e ndryshme private dhe tregtare, do të paguajnë për shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës më shumë para.

Kategoritë që përjashtohen nga taksat
Bashkia e Tiranës ka përjashtuar nga pagesa e taksave vendore ose familjare, të gjitha kategoritë në nevojë. Ajo pjesë e shoqërisë që është përjashtuar nga taksat janë të gjithë personat që janë të pajisur me dokumentet përkatëse të paaftësisë apo me dokumentet e tjera që i përjashton ata nga shlyerja e detyrimeve. Pjesë e këtyre kategorive janë veteranët, invalidët e punës dhe të luftës, të verbrit, të sëmurët paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Ndërsa pensionistët dhe përfituesit e ndihmës ekonomike paguajnë një shumë vjetore të reduktuar prej 100 lekësh. Këto lehtësira janë krijuar në bazë të marrëveshjeve ndërinstitucionale, duke u bazuar në pamundësinë e punësimit të këtyre personave, në bazë të të ardhurave dhe nevojave që kanë. Në taksat familjare hyjnë, taksa e ndërtesës, taksa e gjelbër, taksa e pastrimit. Sipas specialistëve të Bashkisë së Tiranës, baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Sipërfaqja në pronësi të taksapaguesit përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë këtë pronësi. Detyrimi për taksën mbi ndërtesën është vjetor, po kështu dhe për taksat e tjera familjare. Për këto kategori detyrimi duhet të paguhet në 2 këste. Kësti i parë paguhet brenda datës 30 Prill dhe kësti i dytë paguhet brenda datës 30 Shtator. Për çdo familje të krijuar rishtazi, afati i pagesës së taksës së gjelbër do të jetë 30 ditë nga dita e regjistrimit të saj në Zyrën e Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake përkatëse dhe detyrimi tatimor do të llogaritet nga muaji korrent i regjistrimit të saj.

Liri Mëhalla

Last Updated on E Marte, 16 Shkurt 2010 22:28

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›