Të rinjve duhet tu ofrohen mundësi konkrete
Enton Kaca, fundjavën e kaluar, ngjiti në skenë premierën “Ditari i një hajduti ose Pinoku”. Regjisori, bashkë me tre aktorë të rinj, ndërmorën këtë nismë personale, për të cilën Kaca tregon se mbështetja nga institucionet shtetërore ishte minimale. Ai i qëndron idesë që të rinjve u duhen lënë më tepër hapësira dhe se ata vetë do të ishte mirë të bashkëpunonin me njëri-tjetrin. “Mua personalisht më ka ecur mirë pas pjesëmarrjes në Festivalin Teatror të të Rinjve. Shteti shqiptar, institucionet që përfaqësojnë kulturën kanë punuar mirë në këtë drejtim. E megjithatë, pas gjithë këtyre edicioneve, mendoj se organizatorët, përkatësisht Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar mund edhe ta ndryshojnë disi skemën për t’i dhënë mundësi të reja këtij organizimi. Të realizohet një platformë e re që do të thotë se ata që duan të konkurrojnë të mos jenë pjesë e projektit nga ana e tekstit dramaturgjik, por të jenë pjesë e tij edhe në ide. Të ketë elemente të reja, siç është për shembull koreografia. Pra të ketë pjesëmarrje të artistëve të rinj bashkëkohor, të cilët mund të zhvillojnë gjini si dance teatri brenda këtij projekti. Ose të zgjidhet një tekst i shkurtër nga një autor shqiptar ose i huaj nuk ka rëndësi dhe t’u kërkohet atyre që marrin pjesë në projekt, që të realizojnë platformën më të mirë në lidhje me këtë lloj strukture. Kush fiton e ndërton veprën teatrore nëpërmjet këtij mediumi, jo nëpërmjet dramës klasike. Ka pasur disa propozime për të ndryshuar diçka në këtë festival ku të kemi projekte të mira e ku veprat të kenë natyrë të ndryshme dhe të veçantë nga njëra-tjetra. Ka ndodhur që kanë fituar projekte për shkak të emrit të madh të autorit të dramaturgjisë botërore, jo për shkak të regjisorit që do ta ngjisë në skenë. Mendoj që për sa i përket artistëve të rinj këtu në Shqipëri duhet krijuar një lloj bashkëpunimi mes tyre. Ata janë një komunitet i rëndësishëm dhe me shumë perspektivë. Në fund të fundit jemi pjesë e një cikli që nis dhe përfundon. Mendoj se të rinjve duhet t’u ofrohen mundësi konkrete, të kenë më tepër lirshmëri në të vepruar dhe në organizimin e spektakleve teatrore. Unë personalisht sapo përfundova një shfaqje ku merrnin pjesë tre aktorë të rinj. Ndërtova diçka të pavarur, edhe pse më duhet të them se ndihmesa e institucioneve shtetërore ishte minimale, nuk kishin asnjë lloj ndjeshmërie ndaj kësaj ndërmarrjeje. Ne vazhdojmë të quhemi regjisorë të rinj, edhe për shkak të mospranisë në skenë, megjithatë mua nuk më shqetëson termi regjisor i ri. Unë dua të quhem regjisor i ri gjithë jetën”.
#