Islami: “Do të respektojmë bojkotin, por PS-ja duhet të hyjë në Kuvend për hir të integrimit”
Deputeti i Partisë Socialiste, përfaqësues i Lëvizjes për Mendim Ndryshe, Kastriot Islami, ka sqaruar deklaratën e dy ditëve më parë të kësaj lëvizjeje lidhur me bojkotin e Kuvendit. Islami tha për mediat se deklarata e djeshme ka qenë një apel drejtuar deputetëve socialistë dhe nuk shprehte marrjen dhe zbatimin e vendimit nga 5 deputetët e PS-së të Lëvizjes për Mendim Ndryshe për të thyer vendimin e Grupit Parlamentar dhe për të hyrë në Kuvend. Sipas Islamit, ky apel që i është drejtuar të gjithë Grupit Parlamentar, është një thirrje miqësore dhe politike që Partia Socialiste, sipas tij, të mos mbajë përgjegjësi për mungesën në një moment kaq të rëndësishëm për integrimin e vendit. Edhe gjatë ditës së djeshme, Islami, në emër të Lëvizjes për Mendim Ndryshe, i ka bërë apel Partisë Socialiste që të ndërpresë bojkotin dhe të hyjë në Kuvend për hir të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. “Ky apel vjen pas një mbledhjeje të ambasadorëve të 27 vendeve të Bashkimit Europian, të cilët kanë deklaruar vendimin që do të merret në mbledhjen e radhës së Këshillit të Europës, të ministrave të Jashtëm, për t’i dhënë të drejtën Këshillit të Europës të fillojë negociatat me Shqipërinë, për t’i dhënë asaj statusin e kandidates. “Apeli që i bëj Partisë Socialiste vjen pasi kjo parti ka dhënë kontribut në 8 vjet. Ajo e ka filluar procesin për integrimin në BE, prandaj le të vazhdojë të jetë ende prezente kur ky proces të finalizohet”, - tha ai. Islami theksoi se Lëvizja për Mendim Ndryshe është në koherencë të plotë me të gjitha kërkesat e artikuluara nga vija zyrtare politike e partive, përveç bojkotit. “I vetmi ndryshim që kemi me gjithë teknologjinë e veprimit me Partinë Socialiste ka qene vetëm bojkoti i Parlamentit”, - theksoi Islami.
14 Nentor 2009