Taksistët kundër Ministrisë së Transporteve për liberalizimin e licencave
Emanuela Sako
Shoqata e Taksive 1+4 “Tirana” kundërshton hartimin e projektligjit të ri që po harton Ministria e Transporteve për liberalizimin e shërbimit taksi dhe heqjen përfundimtare të licencave. Anëtarët e kësaj shoqate kanë hartuar një relacion që është dërguar në këtë Ministri në shenj proteste kundër udhëzimit dhe duke e argumentuar se përse nuk duhet të bëhet liberalizimi përfundimtar i licencave të taksive. Kështu, taksistët ndihen të terrorizuar nga kjo nismë e ministrisë, pasi konkurrenca e pandershme pritet që të lindë me dëshirën e shtetit. Kryetari i Shoqatës së Taksistëve, Gëzim Bardhi, në një intervistë për gazetën “Albania” shprehet se kjo nismë është e padrejtë dhe mbi ta do të rëndojë papunësia dhe konkurrenca e pandershme e cila këtë herë po shtyhet nga shteti. Sipas anëtarëve të shoqatës, në çdo qytetar do të bënte një punë të dytë si taksist. Madje çdo oborr shtëpi do të ishte e mbushur me taksi. Ndërsa vendet e taksive në kryeqytet do të përfshiheshin në një kaos të vërtetë. Në këtë mënyrë bëhet zhvlerësimi i licencës së taksive në të gjithë vendin.
Projekt -ligji
Taksistët nuk janë njoftuar për këtë projekt të ministrisë dhe nuk është marrë mendimi i palëve të interesit, të cilët janë totalisht kundër këtij udhëzimi, që ata e vlerësojnë si shkatërrues të këtij biznesi. Në letrën e hapur dërguar Ministrit të Transporteve taksistët shprehen në një paragraf se “Pas diskriminimit për gati një vit me autorizime të përkohshme dhe mujore, pikërisht tani kur ne po prisnim të merrnim licencat 5-vjeçare me shpresën se do të bëheshim pronarë të tyre si tëë gjithë taksistët në vendet fqinje, vjen lajmi se licencat do të hiqen fare”. Kryetari i Shoqatës shprehet se lajmi ka qenë i papritur dhe rastësor, në një kohë kur ata do të paguanin taksat. Papritur iu komunikohet në Ministrinë e Transporteve se do të licencat e taksive do të hiqen përfundimisht nga qarkullimi.
Ngjarja
Pak kohë më parë, kjo Ministri në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dolën kundër një udhëzimi që u hartua nga autoritetet për të bërë liberalizimin e kufizuar të shërbimit taksi, ndërsa tashmë ky udhëzim është rrëzuar dhe po hartohet një i ri, i cili përmban liberalizimin total të shërbimit taksi. Udhëzimi i mëparshëm për liberalizimin e licencave, u kundërshtua duke u argumentuar me të njëjtat motivacione. Sipas Kryetarit Bardhi,
ajo që shfaqej më problematike për ta në këtë udhëzim, është se, licencës i bie vlera, pasi kushdo mund të marrë licencë dhe të zërë vendin e atyre që punojnë sipas rregullave. Ndërkohë që taksistët nuk ranë dakord me një ndër pikat e udhëzimit, ku u kërkua që si taksi, të shërbejnë autoveturat të prodhuara vitet e fundit. Kjo pasi, do të rëndonte në kurriz të atyre taksistëve që punojnë me taksi më të vjetra. Në këtë mënyrë pretendimet e tyre qëndrojnë se duke parë kushtet e jetesës dhe nivelin e shqiptarëve, makinat e përdorura shumë nuk do të përbënin ndonjë problem. Kështu, në bazë të kësaj rregulloreje të re, Ministria ka pasur parasysh se makinat e vjetra, do të ndotnin ambientin, ndërsa klientët nuk do të ishin dakord për të hipur në një makinë në kushte që nuk mund të krahasohen me një makinë të re. Sipas, kryetarit Bardhi, shoqata e taksistëve iu drejtua Bashkisë së Tiranës, duke i parashtruar kërkesat e tyre dhe arsyet se përse udhëzimi nuk mund të hyjë në zbatim. Shoqata përbëhet nga 200 shoferë taksisë, që përfaqësojnë të drejtat e tyre për t’i rezistuar tregut.
Kërkesa
Shoqata e Taksistëve kërkon të ketë kufizim të licencave të taksive. Ata janë kundër heqjes së licencave dhe kundër liberalizimit total. “Ne e pranojmë shtimin e kufizuar të numrit të taksive që do të qarkullojnë në të gjithë qytetin, për shembull deri në 100 taksi. Ne kërkojmë që të mos ç’orientohet gjithë qyteti dhe taksistë të bëhen edhe ata që nuk kanë paguar asnjëherë taksa”- shprehet Kryetari Bardhi. Sipas shoqatës së taksistëve arsyeja e vërtetë e këtyre ndryshimeve qëndron në konfliktin e interesave mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Transporteve, pasi transporti për shërbimin taksi është kompetencë e Bashkisë së Tiranës.
Takimi
Nga takimi i anëtarëve të Shoqatës me Drejtorinë e Ministrisë së Transporteve në Ministrinë e Transporteve, ata kanë marrë miratimin e liberalizimit total të licencave. Ndërkohë që, mendohet se projektligji i ri do të përfundojë Brenda datës 15 gusht dhe do të dërgohet në Qeveri për të marrë miratimin përfundimtar. Gjatë takimit me drejtorinë e transporteve në Ministrinë e Transporteve, ai është shprehur se nuk do të ketë më licenca, por taksitë e vetmja gjë që duhet të bëjnë taksistët është regjistrimi i tyre si biznes pranë QKR–së. Ndërkohë që Drejtoria e Transporteve në Bashkinë e Tiranës ka deklaruar se nuk mund të bëjnë asgjë në këto kushte, pasi projektligji i hartuar i takon Ministrisë së transporteve.
Protesta
Pritet që Shoqata e Taksive 1+4 “Tirana”, ka dërguar një letër Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, ku u ka komunikuar se duke filluar që nga dita e hënë, gjatë orës 10.00-12.00 do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej” protesta e taksistëve. Taksistët do të protestojnë pran dy institucioneve kompetente, Ministrisë së transporteve dhe Bashkisë së Tiranës për të kërkuar të drejtat e tyre dhe për të kundërshtuar hartimin e një projektligji që do t’iu prishte biznesin. Pritet që në protestë të marrin pjesë 224 anëtarët e Shoqatës së Taksistëve dhe të gjithë taksistët e tjerë, të cilëve iu preken interesat.
Lista
Anëtarët e Shoqatës së Taksistëve kanë hedhur firmat në listën që do t’i dorëzohet Ministrisë së Transporteve për të parandaluar hartimin e projektligjit. Lista emërore është e detajuar me të gjitha të dhënat e taksistëve, si: numri i licencës, vendqëndrimi, numri i telefonit etj. Në anë të të dhënave për çdo person, është hedhur firma që mban kundërshtimin e projektligjit të ri.
2 Gusht 2008