E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, mjekët kërkojnë furnizimin e spitaleve me medikamente dhe pajisje



Emanuela Sako

Problematika e qendrës më të madhe spitalore në vend, QSUT-së, është vënë në qendër të vëmendjes të të gjithë opinionit për shkak të mungesave në medikamente dhe pajisje. Kriza e thelluar në QSUT ka prekur më tepër se të gjithë pacientët që janë të detyruar të kurohen në këtë qendër. Për të gjitha problemet shqetësuese që duhet të reformohen menjëherë, flet Shefi i Urgjencës Kirurgjikale në QSUT, Ylli Ziçishti. Shefi i Urgjencës rrëfen se kushtet në spitale janë të vështira dhe duhet bërë ndërhyrje e menjëhershme për të bërë furnizimin e spitaleve me medikamente dhe të vihet në vend imazhi i mjekëve. Mjekët raportojnë për një situatë alarmante që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Sipas mjekëve, mungesat janë bërë të përhershme dhe nuk kanë marrë ende një përgjigje se kur do të përfundojë kjo situatë. Madje, kohët e fundit QSUT-ja u rrezikua nga viruset, ashtu siç ndodhi edhe me Pavijonin e Kardio-kirurgjisë.
Problematika
Shefi i Urgjencës Kirurgjikale rendit problemet më emergjente për të cilat duhet të ndërhyhet. Mungesa e barnave është bërë e pranishme, pothuajse që prej një viti. Po kështu, aparaturat janë bërë pengesë për kryerjen e një numri të madh vizitash. Kjo, pasi në shumicën e rasteve ato ose mungojnë ose nuk kanë lëndën e parë për të funksionuar. Për këtë çështje, mjeku Ziçishti sqaron se duhet bërë mirëmbajtja e pajisjeve ekzistuese dhe furnizimi i menjëhershëm me të reja. Një ndër kërkesat e emergjente për mirëfunksionimin e spitaleve është vënia në funksion të menjëhershëm i Spitalit të Sanatoriumit, i cili do të ketë të njëjtin funksion si QSUT-ja. Ky funksion i ri i Spitalit të Sanatoriumit, do të ulë dyndjen e pacientëve që drejtohen çdo ditë në QSUT.
Pacientët
Ata që janë më të terrorizuarit nga kjo situatë e krijuar, janë pacientët. Pacientët janë të frikësuar dhe ndihen të pasigurt për t’u kuruar në QSUT, pasi kanë humbur besimin për mundësinë e kurimit nga bluzat e bardha në një kohë që mjekët i drejtojnë në për blerjen e barnave për të afërmit e tyre. Ndërkohë që, shprehen se nuk dinë se ku duhet të shkojnë të kurohen, pasi spitalet private që ofrojnë kushte më të mira janë tepër të shtrenjta. Deri në këto momente, ende nuk është marrë asnjë masë konkrete për zgjidhjen e situatës.

2 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›