Agjencia e Vlerësimit të Testeve: Maturantët që s’kanë gjetur emrat do të marrin përgjigje shpejt
Maturantët pjesëmarrës në provimet e Maturës, të cilët nuk kanë gjetur emrin e tyre në listat e afishuara pranë shkollave për rezultatet e lëndëve me zgjedhje shumë shpejt do të kenë një përgjigje. Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve(AVA) ka sqaruar të gjithë këta maturantë që ky është një problem teknik për të cilin po merren masat e duhura. Pas verifikimit të emrave të maturantëve që nuk figurojnë në këto lista, AVA do të bëjë publike rezultatet që ata kanë marrë në dy provimet me zgjedhje. Rasti i parë për evidentimin e një problemi të tillë u denoncua nga një maturante nga Saranda, e cila pasi ishte njoftuar se kishin dalë rezultatet e provimeve me zgjedhje kishte shkuar në shkollën e saj të mesme për t’u njohur me rezultatet që kishte marrë. Ndërkohë në listën e afishuar për të gjithë nxënësit e shkollës së saj ajo nuk kishte gjetur emrin e saj. Pas kësaj, dolën edhe disa maturantë të tjerë nga qytete të ndryshme te vendit që nuk e kanë gjetur emrin e tyre në listën e rezultateve të provimeve me zgjedhje. Për të vazhduar studimet e larta çdo maturant duhet të ketë kaluar në të katër provimet e Maturës Shtetërore. Ministria e Arsimit ka sqaruar të gjithë maturantët që janë kandidatë për në Institucionet publike të Arsimit të Lartë (universitete) se mund të vazhdojnë konkurrimin për në këto institucione vetëm ata kandidatë që kanë arritur të marrin rezultate kaluese në secilin nga të katër provimet e Maturës Shtetërore, Gjuhë-Letërsi (D1), Matematikë (D2), Provimi i parë me zgjedhje (Z1) dhe Provimi i Dytë me zgjedhje (Z2). Kjo vlen dhe për maturantët-kandidatë në ato programe studimi ku pranimi bëhet me konkurs.
Fëmijët në nevojë do të jetojnë për një vit në familje të pasura
Fëmijët e braktisur, ata që nuk kanë prindërit, apo fëmijët që jetojnë në familje tepër të varfra, do të vendosen për një afat kohor, 12 muaj apo më shumë, pranë familjeve që ju krijojnë kushte të përshtatshme jetese. Kjo mundësi për të jetuar pranë familjeve që ofrojnë një nivel të mirë jetese do t’u krijohet tashmë të gjithë kontingjentit të fëmijëve që janë në nevojë, dhe kjo do t’u bëhet e mundur në saj të shërbimit të kujdestarisë. Një vendim më i fundit i Këshillit të Ministrave, ka vendosur që ky kontingjent fëmijësh të strehohet përkohësisht në këto familje me pëlqimin e familjes që do t’i pranojë dhe shërbimit të kujdestarisë. I gjithë procesi i kujdestarisë, do të monitorohet nga një grup i veçantë ekspertësh. Sipas Ministrisë së Punës, dokumenti i shërbimit të kujdestarisë së fëmijëve në nevojë, është në kuadër të decentralizmit, prandaj shërbimi i kujdestarisë, do të mbështetet dhe nga komunat apo bashkitë. Po ashtu pranimi dhe largimi i fëmijëve nga institucionet e përkujdesit do të bëhet vetëm me vendim gjykate. Këtë procedurë deri tani kanë nisur ta ndjekin rreth 50 për qind e këtyre institucioneve.
2 Gusht 2008