Ndiqet penalisht ish-deputetja e PS-së Natasha Paço për objektin pa leje
DURRËS – Ish zëvendësministrja e Pushtetit Lokal Natasha Paço dhe bashkëshorti i saj po ndiqen penalisht në gjendje të lirë pasi në adresë të tyre është bërë një kallëzim nga drejtuesit e strukturave të Inspektoratit të Ndërtimit. Një fakt i tillë është pohuar nga burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit. Sipas zëdhënëses së policisë Ornela Cako, “më datë 31 korrik filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve: Natasha dhe Vladimir Paço, banues në lagjen NR. 13 të qytetit bregdetar. Cako pohon se pak muaj më parë policia ndërtimore kishte prishur një lokal në pronësi të ish-zyrtares dhe ish-deputetes socialiste, por ajo e kishte ndërtuar sërish, gjë që ka sjellë përplasjen e radhës në fillimin e kësaj jave.
Konflikti
Të hënën në mesditë tre zyrtarë të Inspektoratit të Ndërtimit kanë bërë një aksion në lagjen Nr. 1 në qytetin e Durrësit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, objekt i kontrollit kanë qenë ndërtimet pa leje në këtë zonë. Në realizimin e operacionit kanë qenë edhe ekspertë dhe drejtues të Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit në Tiranë. Por, teksa kanë ushtruar kontroll në njërin prej lokaleve që ndodhet në këtë zonë, ata janë përplasur me pronarët e njërit prej lokaleve. Burimet policore në Durrës bëjnë të ditur se G.M., me detyrë Përgjegjës i Sektorit Kombëtar Ndërtimor Tiranë, është konfliktuar me ish-zyrtaren e lartë socialiste Natasha Paçon, e cila ka qenë edhe deputete e zonës së Durrësit. Në këtë konflikt është përfshirë edhe bashkëshorti i saj, Vladimir Paço. Ekipi i ndërtimorëve ka paraqitur shkresat për të prishur objektin në pronësi të çiftit Paço, por ata kanë refuzuar. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, G.M., është fyer prej tyre gjë që e ka detyruar atë të bëjë një kallëzim në polici.
Hetimi
“Natasha dhe Vladimir Paço po procedohen penalisht në gjendje të lirë për arsye se më datë 30.07.2008 dyshohet se kanë fyer për shkak te detyrës shtetasin G.M., vitlindja 1971, me detyrë përgjegjës i Sektorit Kombëtar Ndërtimor Tiranë, i cili ka qenë duke ndërmarrë prishjen e disa lokaleve në lagjen Nr. 1 në Durrës”, - thotë zëdhënësja Cako. Ajo pohon për gazetën se lokali në pronësi të ish-zëvendësministres ishte prishur një herë disa kohë më parë, pasi figuronte ndërtim pa leje. Por çifti Paço e ka vënë në punë sërish. Kaq ka mjaftuar që ndërtimorët të rimarrin sërish kontrolle në këtë zonë, ku edhe kësaj radhe kanë tentuar të prishin objektin në pronësi të tyre. Burimet zyrtare pohojnë se janë kryer veprimet e para hetimore lidhur me rastin në fjalë. “Materialet për shtetasit Vladimir dhe Natasha Paço, të cilët po hetohen për veprën penale të fyerjes për shkak të detyrës, në bashkëpunim” iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit”, - thonë burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit. Ish-zëvendësministrja Natasha Paço pak kohë më parë kishte një konflikt me Policinë Ndërtimore edhe për një objekt tjetër, të ndërtuar në Lagjen Nr. 13, pasi pretendohej se nuk kishte të gjithë dokumentacionin e duhur. Çështja ka kaluar në rrugë gjyqësore, ndërsa vetë Natasha Paço pretendon se ka të gjithë dokumentacionin dhe kjo po bëhet për qëllime politike nga strukturat e Policisë Ndërtimore, e cila sot funksionon si Inspektorati Kombëtar Ndërtimor.
Shkodër, prishen 15 ndërtime pa leje
Inspektorati Ndërtimor në Bashkinë e Shkodrës ka shembur gjatë dy ditëve të fundit 15 objekte pa leje që pengonin investimet në rrugën “Mehmet Pashë Plaku”, ose siç njihet me emrin e vjetër lagja “Perash”. Investimet e Bashkisë së Shkodrës në këtë zonë kapin shumën 12.5 milion lekë. Drejtori i këtij Inspektorati, Roland Çomo, tha se së shpejti pritet të veprohet ndaj disa ndërtimeve të tjera pa leje, për të cilat është hartuar një grafik.
Laç, prishen 95 objekte pa leje në qytet
Në qytetin e Laçit janë prishur 95 ndërtime të paligjshme si, shtesa pallatesh, kioska, ndërtime të paligjshme që në themel etj. Deri në muajin shtator edhe 38 ndërtime të paligjshme do t'i nënshtrohen prishjes, sipas burimeve zyrtare nga Bashkia e Laçit. Qyteti i Laçit gjithmonë është etiketuar si "qyteti i kioskave", por tashmë me ndërhyrjen e bërë nga vendorët, me vendim të KRRT-së së Bashkisë si dhe Inspektoratit të Ndërtimeve, situata do të marrë përfundimisht zgjidhje.
2 Gusht 2008