Arrestohet, u denoncua nga 17-vjeçarja për shfrytëzim prostitucioni
POGRADEC – Një 50-vjeçar ka rënë në pranga pasi akuzohet për shfrytëzim prostitucioni të një vajze. Burimet zyrtare të policisë së Pogradecit bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi Apostol Shuli, pasi ishte denoncuar nga shtetasja M.B. Sipas tyre, "rreth orës 23.00 të ditës së enjte është bërë ndalimi i 50-vjeçarit me banim në qytetin e Pogradecit". Operacioni për kapjen e tij është bërë nga seksioni i Luftës kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Korçës. Nga të dhënat e para, dyshohet se 50-vjeçari Shuli e ka mashtruar dhe më pas ka shfrytëzuar për qëllime prostitucioni shtetasen M.B.. Me ndihmën e një psikologu, 17 vjeçarja ka arritur të identifikojë 50-vjeçarin nga Pogradeci si shfrytëzues të saj për qëllime prostitucioni, gjë që ka çuar më pas në arrestimin e tij. Policia nuk bëri të ditura rrethanat në të cilat vajza është mashtruar dhe më pas shfrytëzuar për prostitucion, pasi po vazhdojnë hetimet për këtë ngjarje nga ana e specialistëve të antitrafikut në Qarkun e Korçës. Dy ditë më parë policia e Krujës arrestoi shtetasin P.P., 17 vjeç, me banim në Derven të Fushë Krujës, pasi ai abuzoi seksualisht me një të mitur, bashkë me shokët e tij në një lokal në qytetin e Laçit, dhe më pas e grabiti.
Tenton vetëvrasjen nëna e dy fëmijëve, hidhet nga kati i 3-të
PRRENJAS - Një 50 vjeçare nga qyteza e Prrenjasit, nënë e dy fëmijëve, ka tentuar vetëvrasjen në kushtet e një depresioni të rëndë, duke u hedhur nga ballkoni i katit të tretë të banesës së saj. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se M. S, tentoi vetëvrasjen në orët e vona të ditës së enjtes. Pas ndihmës së parë në spitalin e qytetit të Librazhdit, 50 vjeçarja u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës për të marrë një kurim më të specializuar.
I jep fund jetës 45-vjeçarja, teksa varrosej vjehrra e saj
FIER – Teksa po përcillej për në banesën e fundit vjehrra e saj, një grua 45-vjeçare i ka dhënë fund jetës, duke u vetëhelmuar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se viktima është shtetasja Zydie Iljazi, nënë e dy fëmijëve, me banim në fshatin Hekal të Mallakastrës. “Gruaja ka gjetur vdekjen pasi kishte gëlltitur 3 kokrra fostoksinë. Sipas dëshmive të familjarëve, gruaja i ka dhënë fund jetës teksa ndodhej e vetme në shtëpi, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes ishin duke përcjellë për në banesën e fundit vjehrrën e Zydies. Brenda 30 minutash 45-vjeçarja ka ndërruar jetë.
Dhuna në familja, dy femra denoncojnë bashkëshortët
DURRËS – Edhe dy denoncime në adresë të bashkëshortëve të tyre kanë mbërritur në komisariatin e Policisë së Qarkut të Durrësit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se M.R. ka deklaruar se shtetasi Xhelal Roci, banues në lagjen Nr. 17 të qytetit bregdetar, i cili është bashkëshorti i saj, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, duke e rrahur, keqtrajtuar, kërcënuar e ofenduar. Sipas burimeve policore të njëjtin denoncim ka bërë edhe M.D., lindur në vitin 1964 ndaj bashkëshortit të saj Viktor Doda, banues në lagjen Nr. 14. Policia ka plotësuar kërkesë-paditë për lëshimin e urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes ndaj dy viktimave të dhunës në familje.
2 Gusht 2008