E Diel, 1 Nëntor 2026

Talebanët përgjegjës për sulmet në Pakistan

Militantët talebanë në Pakistan kanë marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin kundër konsullatës amerikane në qytetin e Peshawarit, sulm ky i cili u ndërmor të hënën.

Të paktën shtatë persona humbën jetën, në mesin e të cilëve edhe katër sulmuesit.

Një zëdhënës i talebanëve theksoi se militantët i konsiderojnë amerikanët armiq dhe se kryengritësit talebanë do të vazhdojnë sulmet kundër shënjestrave amerikane.

Është kjo hera e parë pas pesë viteve që sulmohet ndonjë ndërtesë amerikane në Pakistan.

Në kumtesën e fundit të grupeve militante, të lidhura me talebanët dhe Al Qaidën, u theksua se sulmet e këtyre grupeve nuk do të jenë më të drejtuara kundër shënjestrave civile, por kundër atyre ushtarake dhe të huaja.

Sulmet në Peshawar ndodhën pas një sulmi vetëvrasës në Luginën Svat.

Policia në Pakistan ka njoftuar se së paku 43 persona janë vrarë, ndërsa me dhjetëra të tjerë janë plagosur, si pasojë e sulmeve me bomba në veriperëndim të Pakistanit.

Disa burime kanë njoftuar se ishte ky një sulm vetëvrasës, ndërsa disa të tjera kanë theksuar se sulmi është shkaktuar nga një bombë, e vendosur në vendin ku pritej të zhvillohej një tubim i partisë ANP.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›