E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaukazi në flakë

Këto male të lashta janë të mbushura përplot me grupe të vogla etnike dhe fetare: abkhazë, dagestanë, darginianë, lakë, oshecë jugorë e veriorë, karakë, balkarë, ingushë, nga ana e tyre të ndarë në klane, parti, xhami, kisha dhe fraksione separatiste. Për ta plotësuar konfuzionin, "alienët" rusë i quajnë çeçenë, ndërsa ata me krenari e quajnë veten içkerianë. Më 11 dhjetor të vitit 1994 një forcë sulmuese ruse (e përbërë nga elementë të ushtrisë, të aviacionit dhe të reparteve speciale të Ministrisë së Brendshme) lëshon një sulm ndaj qytetit Grozni, kryeqytet i Çeçenisë. Presidenti Boris Jelcin kërkoi që ta justifikojë këtë aksion me dy motive kryesore: se Çeçenia ishte bërë qendra e një rebelimi të armatosur kundër Federatës dhe se në fakt po bëhej shteti - mafie i parë, i lindur nga gërmadhat e Bashkimit Sovjetik. Tashmë në mendjet e rusëve përmbysja politike në Kaukaz ishte e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me kriminalitetin dhe rezultonte e pamundur të dallohej midis aspekteve të ndryshme.

Gjithçka kishte filluar në vjeshtën e vitit 1991, kur Xhokar Dudajev, gjeneral i aviacionit sovjetik, ishte vetëshpallur President i Republikës Autonome të Kaukazit. Dudajev kishte qenë një prej çeçenëve të pakët që kishte arritur një gradë të lartë në ushtrinë sovjetike. Pas një serie detyrash prestigjioze në Europën Lindore dhe në vendet e Baltikut, gjenerali 47-vjeçar kishte fituar një reputacion të mirë si pilot, pse jo dhe si komandant garnizoni i besueshëm. Veç të tjerash, kishte gjetur mënyrën që të dallohej në përpjekjet e tij për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfrontimit të ashpër, që në vitin 1990 kishte parë Moskën të ndeshej me republikat e Baltikut. Një lojë shumë delikate, në të cilën gjenerali çeçen pothuajse kishte arritur kufirin, duke refuzuar që të dërgojë trupat e tij kundër nacionalistëve. Pak javë pas grushtit të shtetit të gushtit të vitit 1991, ai u kthye në Grozni, qendra administrative e këtij rajoni autonom të Federatës Ruse të njohur si Çeçeni - Ingushetia.

Ai menjëherë shpalli pavarësinë e Republikës së Çeçenisë nga Federata Ruse. Çeçenët e pritën lajmin me një përzierje gëzimi dhe surprize. Çeçenia u quajt Republika Autonome e Içkerisë.
Lajmi i befasoi edhe rusët.

Pas një përpjekjeje të shkurtër dhe të kotë ndërmjetësimi, qeveria e Jelcinit iu përgjigj "provokimit" të Dudajevit me forcën e armëve, duke dërguar mijëra ushtarë për të përforcuar garnizonin e Groznit.
Për një jave me radhë forcat paraushtarake të Dudajevit arritën që t'i bllokojnë trupat ruse në kazermat e tyre, duke kërcënuar se do të godisnin këdo që do të guxonte të dilte jashtë. Duke ia pasur frikën luftës civile, Jelcini iu nënshtrua një rezolute të Sovjetit Suprem, duke urdhëruar ushtarët e tij që të tërhiqeshin.

Në qoftë se Dudajev në aspekte të caktuara ka përfaqësuar fytyrën "institucionale" të pavarësimit çeçen, Shamil Basajevi ka qenë (deri në vdekjen e tij të ndodhur më 9 korrik të vitit 2006) zemra dhe shpirti, por pas sulmit në Teatrin Dubrovka (23 tetor 2002) dhe masakrës në shkollën e Beslamit (1 shtator 2004), maska e deformuar e dhunës së verbër të terrorizmit. I lindur në vitin 1965 në Vedevo, një fshat i vogël sovjetik në malet e Kaukazit, sipërmarrës i ri, në vitin 1987 kishte lënë zonat e thella rurale të Kaukazit për "dritat" e Moskës. Këtu frekuentoi për disa kohë universitetin me shpresën e hyrjes në polici si agjent hetues, por me kolapsin e ekonomisë sovjetike nuk mundi t'i vazhdojë projektet e tij. Me shumë bashkëkombës të tij shkoi të fryjë radhët e tregut të ri të zi që mbushte rrugët e Moskës. U specializua në shitjen e kompjuterëve.

Kryeqyteti i Çeçenisë, qendër petrokimie me një rëndësi të caktuar, sipas funksionarëve sovjetikë, numëronte në vitin 1990 një popullsi prej rreth 400 mijë banorësh: 260 kilometra katrorë pallatesh të mëdhenj prej betoni dhe tullash në stil të pastër sovjetik, të mbushura plot me impiante kimike të pista dhe industri të rënda. Në fillimin e viteve '90 paraqitej si skena e një spektakli karakteristik: në qytet ngatërroheshin atmosfera dekadente e provincës e Perandorisë Sovjetike dhe një ethe fetare e rinovuar. Në fakt, nga deklarimet e pavarësisë, islami kishte pësuar në të gjithë rajonin një ringjallje në kuptimin e vërtetë të fjalës (çeçenët janë myslimanë sunitë): mund të shikoheshin mullahë me çallma të kalonin sheshin qendror të Groznit, ndërsa flamuj të gjelbër me shkrime në arabisht kishin zënë vendin e flamujve të kuq të vjetër me drapër e çekan. Vetë Dudajevi shikohej si Shamili i ri, imami që në shekullin e kaluar kish drejtuar çeçeno-dagestanët kundër Rusisë gjatë luftës së parë kaukaziane. Por, Grozni ishte edhe një kryeqytet i krimit në kuptimin e vërtetë të fjalës: udhëkryq trafiqesh të çdo lloji, në mënyrë të veçantë për tregun ilegal të armëve do të kishte në ato vite të njëjtin funksion si të Bursës së Londrës, domethënë do të përcaktonte nivelin e çmimeve të tregut.

Lufta e parë çeçene e viteve 1994-1996 është bërë rast shembull, në kuptimin e vërtetë të fjalës, i strategjisë luftarake dhe gjithsesi diçka shumë e ndryshme nga konfliktet e izoluara të paraqitura rëndom nga CNN-i.
Ashtu si në Stalingrad, shpërthen një "luftë e minjve" për pushtimin e një grushti gërmadhash: një korridor, një hatull, një mur janë vija e frontit. Lëshohen verbazi bomba dore në pluhur. Të vdekurit mbushin shkallët, shesh-pushimet e tyre, hyrjet e apartamenteve.

Ndërkohë, gjenerali Xhokar Dudajev do të vritet nga një raketë ajrore e lëshuar në sinjalin e telefonit satelitor të tij (natën midis 20 dhe 21 prillit të vitit 1995). Rimarrja e Groznit shënon një kthesë të rëndësishme, edhe pse rusët nuk arrijnë të vendosin nëse të kryejnë një operacion policie apo një luftë totale dhe të përgjithësuar. Kjo pavendosmëri do t'i japë jetë një ndërhyrjeje fatkeqe dhe gjakderdhjes pasuese. "Armëpushimi" i dhjetorit 1996 shënon fundin e luftës së parë çeçene.

E premte, 13 gusht 1999. Në juglindje të Dagestanit disa qindra ushtarë rusë, me mbështetjen e artilerisë së rëndë, mjeteve të blinduara dhe një dyzinë gjuajtësish bombardues dhe helikopterësh, sulmojnë pozicionet e rebelëve islamistë. Pas një jave luftimesh të ashpra, rreth 1000 luftëtarë, në pjesën më të madhe çeçenë, zmbrapsen brenda kufijve të republikës së pavarur. Bëhet fjalë për një prej operacioneve me shtrirje më të gjerë të realizuar për të zmbrapsur, duke filluar nga fundi i vitit 1998, inkursionet dhe sulmet e papritura të luftëtarëve islamikë në Kaukaz. Do të jetë fillimi i një eskalimi të ri që do të çojë - në shtatorin e të njëjtit vit - në një shpërthim të ri dhune të përgjithshme. Operacionet ushtarake ruse rifillojnë plotësisht duke filluar nga 23 prilli me një bombardim ajror të Groznit.

Më 5 tetor forcat ruse kontrollojnë rreth një të tretën e Çeçenisë.

Në fund të muajit nëntor forcat ruse (100000 trupa ushtrie dhe 40000 trupa të Ministrisë së Brendshme) kanë pushtuar rreth gjysmën e territorit. Më 4 dhjetor fillon rrethimi i ri i Groznit, i cili do të përfundojë pas rreth një muaji e gjysmë me një numër shumë të lartë viktimash si midis forcave në fushë, ashtu dhe midis civilëve që nuk kishin arritur në kohë ta braktisnin qytetin.

Teatri i tretë i operacioneve që ushtria ruse është dashur të përballojë është ajo e masiveve malore gjarpërore të jugut, në kufi me Gjeorgjinë (ku shumë luftëtarë gjejnë strehim), të cilat kulmohen me maja mbi 4000 metra të larta: një fortesë natyrore praktikisht e pakapshme. Bombardime në largësi, luftime urbane, luftë në male dhe nevojë për të "kontrolluar" një territor armiqësor: lufta në Çeçeni ka përfaqësuar për ushtrinë ruse një koncentrat me vështirësi ekstreme.

Sot "paqësimi" i rajonit e ka transformuar në fakt Çeçeninë nga shtet një "batakçi" në shtet të "dështuar": kamikazë, gra të veshura me tritol dhe autobomba - armë të luftës asimetrike - vazhdojnë që të ushqejnë edhe më tutje ankthin e rusëve. (The Guardian)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›