Kriza e lajmit televiziv
Kur në botë flitet për krizë të shtypit të shkruar, në Shqipëri ka një krizë të dukshme televizive. Nuk dihet se kur televizioni modern shqiptar arriti kulmin, kur në fakt nuk ka as dhjetë vjet jetë të televizioneve private, por rënia është evidente. Ndoshta ky kulm s‘ka ardhur ende dhe kjo e bën edhe më të rëndë situatën në të cilën ndodhet ekrani shqiptar sot, veçanërisht ajo pjesë e ekranit informativ, ndryshe lajmit. Më tepër se çoroditje, sot ka një mungesë strukture në informacion dhe një lënie në dorë të rastësisë që gjithmonë në realitetin shqiptar s‘të le në baltë. Por përtej "baltës" që prodhon pa fund ky realitet, nuk shkohet më tej. Tv-të sot janë thjesht dhe vetëm transmetues të thatë lajmesh dhe sikur mos të kishim debatet televizive, kryesisht politike, që mbështeten mbi analistët e shtypit të përditshëm, televizionet do ishin vetëm qendra zëri dhe dispeçeri deklaratash politike. Ka një mori ngjarjesh vetëm të dy viteve të fundit, prej të cilave gazetaria shqiptare duhet të ishte rritur dhe televizionet duhet të kishin ngritur të ardhmen e tyre, pse jo për dhjetëvjeçarin tjetër.
Pikërisht në këtë moment që flasim, kur jemi në mes të një krize politike, me një Parlament të kthyer në forumin e Partisë Demokratike dhe popullin opozitar në rrugë, ende në ekranin e lajmit nuk është pranuar fjala krizë. Për t‘i shpëtuar këtij "sikleti", i bihet shkurt, duke transmetuar deklaratat e njërës palë që thotë se ka krizë dhe tjetrës që e mohon kategorikisht. Sot këtu kemi përfunduar, për krizën, por dhe për çdo lloj situate tjetër politike, ekonomike apo sociale. Deklarata dhe kundërdeklarata, ky është ekrani shqiptar i ditëve tona. Ashtu sikur kemi mitingje dhe kundërmitingje në rrugë. Dhe nëse politikisht gjithmonë presim ndërkombëtarët si një vend që s‘u rrit kurrë e që nuk qëndroi kurrë mbi këmbët e tij, e habitshme është që edhe media pret po ata, ndërkombëtarët. A nuk është në gjendje media sot të formulojë dhe artikulojë një qëndrim të vetin mbi situatën politike, ekonomike dhe sociale, dhe në këtë mënyrë t‘i shpëtojë përsëritjes pa fund të deklaratave? Pasja e një qëndrimi profesional mbi një situatë të caktuar që sigurisht kërkon shumë mend, investigim e punë, nuk duhet ngatërruar kurrsesi me qëndrimin ideologjik apo politik dhe kjo është një betejë që duhet bërë e fituar njëherë e mirë. Të paktën duhet nisur. Nuk është e vështirë sot të zbulosh nëse ka apo jo krizë ekonomike në Shqipëri. Të flasësh për një dukuri të tillë nuk ka të bëjë vetëm me politikën, sesa me jetën e përditshme të qytetarëve dhe nuk besoj se ka njerëz që nuk janë të interesuar të dinë si do shkojë ekonomia e tyre, si dhe sa do rritet papunësia, ose a do të zvogëlohet ajo. A tregon rritja e energjisë një krizë ekonomike, apo a do të çojë drejt një krize të tillë? A është mosdhënia e rrogave dhe shpërblimeve të dhjetorit një element i krizës dhe i boshllëkut të arkës së shtetit?
Pasi specialistët përkatës të kenë thënë fjalën e tyre, media s‘ka pse mos të ketë qëndrimin e saj dhe nuk ka pse mos të qëndrojë afër qytetarëve që sot janë më të çoroditur se kurrë, sepse u mungon informacioni i duhur. Përsëritja e politikanëve në çdo edicion lajmesh, nuk është më lajm.
Po kështu, qytetarët shqiptarë do ishin të interesuar të dinin më shumë për Kalimashin, investimin më të madh shqiptar që do rëndojë për dekada në kurriz të tyre. Shembja e një pjese të këtij tuneli u pasqyrua alla shqiptarçe, opozita reagon, pozita në vend të shpjegojë situatën, kritikon opozitën, që sipas saj "i bëhet qejfi që tuneli ra". Po media çfarë mendon për Kalimashin? Nuk dimë ende asgjë pse ra tuneli dhe a kemi ne garanci se nuk do shembet në të ardhmen? Investimit më të madh të kombit, do t‘i shkonte patjetër dhe një investim i madh televiziv me kamera 24 orë te "koka". Shqiptarët ende nuk e dinë pse kjo rrugë kushton kaq shumë, kur do ta nxjerrë fitimin e saj ky investim dhe në çfarë hapësire kohore, si edhe kur do ta lajmë këtë borxh, sa vite, dekada apo shekuj do na duhen. Për këtë çështje nuk janë prononcuar ndërkombëtarët dhe ndoshta në pritje të tyre nuk do kemi asnjë lajm mediatik të ri.
E njëjta situatë mediatike edhe për zgjedhjet që sapo lamë pas, të cilat në fakt duket sikur ndodhën në 20 nëntor. Nuk po i hyjmë fare historisë a u vodhën apo jo votat e shqiptarëve, paçka se kjo duhet të ishte primare në newsroom-in shqiptar. As nuk po flasim për debatin politik që u pranua si i dështuar edhe nga vetë drejtuesit e emisioneve apo drejtuesit e lajmeve. Por vetëm një aspekt i fushatës, shpenzimet, sidomos ato të qeverisë, do ishin një kapitull i trashë për t‘u marrë, nga ku ndoshta do na hidhej dritë pse arka e shtetit është bosh sot dhe pensionistët e varfër të Shqipërisë, që mezi presin një shpërblim të premtuar për fundvit, nuk do jenë në gjendje ta marrin dhe gëzojnë atë si në dy vitet e shkuara. Vetëm nga llogaritja e ndotjes që ju bë Shqipërisë nga letrat për fushatën e 28 qershorit, po ashtu në 8 dhjetor, do të na dilnin disa shifra prej të cilave të bëheshin analizat e duhura.
Shkojmë pak më tutje. "Gërdeci" është absolutisht një histori e pambyllur. Zbulimi i të vërtetave mbi tragjedi të tilla, përcaktojnë jo vetëm shkallën e transparencës së një qeverie, shkallën e ndërgjegjësimit të një shoqërie, por padiskutim dhe shkallën e profesionalizmit të medias. Shikoni çfarë ndodhi në 12 dhjetor. Në sallën e Pallatit të Kongreseve zhvillohej Kuvendi i Partisë Demokratike, ndërsa në Gjykatën e Tiranës zhvillohej një seancë gjyqësore mbi tragjedinë me 26 viktima. Një burrë që kishte humbur djalin dhe gruan në këtë tragjedi, tregonte ngjethshëm ngjarjen. Por ky lajm ishte lajmi i dymbëdhjetë nëpër edicione që për lajm të parë, të dytë dhe deri lajm të shtatë kishin Kongresin. Ndoshta e kam gabim, por mendoj se duhej të ishin ndërruar vendet në renditjen e lajmeve. Në fakt, në atë Kongres nuk u prodhua asgjë, nuk kishte asnjë lajm dhe asnjë pritshmëri. Ishte ironikisht rastësi që këto dy episode nga jeta shqiptare ndodhnin në të njëjtën ditë. Në njërën sallë "heroi" i ditëve tona, Kryeministri, brohoriste veten për sukseset e mëdha dhe në anën tjetër të qytetit, viktima e tij, një gërdecar, qante gruan dhe fëmijën e humbur si pasojë e një biznesi qeveritar, i akuzuar nga opozita edhe si familjar. Media nuk arriti të zbulojë deri në fund sa dhe si është implikuar familja Berisha në këtë tragjedi. Por dhe sikur mos të jetë e implikuar, mjaft fakti që një tragjedi ndodh nën hundën dhe hyqmin e Kryeministrit, është mjaftueshëm të shfokusojë çdo "sukses" të propaganduar prej tij. Dhe pa zbuluar ende fajtorët e tragjedisë, pa "shlyer" ende këtë borxh ndaj qytetarëve, media vazhdon të vlerësojë si dytësor dhe të parëndësishëm çdo lajm që lidhet me të. E sidomos bëhet cinike kjo situatë kur për lajm të rëndësishëm radhit një kongres pa zë, pa ngjyrë, pa asgjë. Të thuash se media thjesht ka ngatërruar prioritetet, është fare pak. Paçka se renditja e prioriteteve është thelbi i gazetarisë bashkë me vërtetësinë e lajmit dhe investigimin e tij.
...Të premten e javës që shkoi, një gazetar veteran i kanalit ABC në SHBA, Charles Gibson, i dha lamtumirën televizionit dhe gazetarisë pas afro 40 vjet karrierë, nga të cilat 35 me ABC News. Në fjalën e tij të fundit ai tha se "objektiviteti nuk është në favorin tonë sot, por mbetet dhe është absolutisht i rëndësishëm". Duke parë skenën e daljes së një dëshmitari të historisë mediatike amerikane si Gibson, i cili e quante profesionin e gazetarit punën më të mirë në botë dhe një "labor of love", duke parë se 5 presidentë amerikanë, përfshirë aktualin, e falënderuan dhe i uruan pleqëri të mbarë, nuk ke si mos mendosh se sa bukur është kur gazetaria ka frymëzuesit dhe ikonat e saj. Dhe se në këto 20 vjet të medias së pavarur shqiptare, duhet medoemos të kishim edhe ne "tanët", gazetarët që të frymëzojnë dhe që ta quanin këtë profesion një shtjellë dashurie. Kanë kaluar vetëm dhjetë vjet e pak nga ekranet private shqiptare, por sot këto ekrane janë më të lodhur se kurrë dhe ua kanë lënë në dorë selive të partive lajmin, kronikën, kundërkronikën. Herë pas here dhe ndërkombëtarëve.